
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi sot qeverinë dhe kryesinë e Kuvendit se po mbron interesat e Belinda Ballukut, e cila sipas tij ka përfituar 1.1 miliardë euro në mënyrë të paligjshme.
Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ku ishte njoftuar mbledhja e Këshillit të Mandateve për çështjen Balluku, Bardhi tha se Kuvendi po shndërrohet në “bunker” dhe po pengon hetimin e plotë të rastit. Ai theksoi se Balluku mund të kalojë Vitin e Ri në shtëpi, por sipas tij nuk do t’i shpëtojë burgut.
“Se pari, Peleshi na thotë se Balluku ka kërkuar 3 javë kohë. Imagjinoni një person për të cilin kërkohet arresti të thotë: bëjeni shpejt se dua të iki në burg! Çdo person kërkon të zvarrisë procesin. Prokuroria ka dokumentuar se ka vjedhur 1.1 miliardë euro. Çështja e Gjykatës Kushtetuese është e ndryshme me atë të SPAK, por Kuvendi po mbron interesat e Ballukut dhe qeverisë,” u shpreh Bardhi.
Ai akuzoi gjithashtu Gardën e Kuvendit dhe kreun e saj, duke e quajtur “të lidhur me trafik armësh”, dhe tha se vota për Ballukun u ndryshua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar këtë një “pengim të drejtësisë”.
Bardhi njoftoi se Partia Demokratike do të kërkojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve javën e ardhshme për të vijuar hetimin dhe për të kërkuar përgjegjësitë e të gjithë të përfshirëve në këtë rast.