Vendosni fjalën kyçe....

Në kërkim për drogë dhe armëmbajtje pa leje, pranga 25-vjeçari në Shkodër


Policia e Shkodrës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur në kërkim për disa vepra penale, mes tyre vjedhje në bashkëpunim, armëmbajtje pa leje dhe prodhim e shitje narkotikësh. I riu, i identifikuar si Seid Curraj, u vu në pranga gjatë operacionit policor të koduar “Livadhet”.

Gjatë operacionit u shpall në kërkim edhe një 39-vjeçar. 

Njoftimi:

DVP Shkodër

Finalizohet operacioni i koduar “Livadhet”, për kapjen e shtetasve në kërkim.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 25-vjeçar, si dhe shpallet në kërkim një 39-vjeçar.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër dhe me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Livadhet”. Gjatë operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

– S. C., 25 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi B. B., 39 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Më datë 29.04.2025, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, në një ambient u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe automjeti tip “Toyota Hilux”, pa targa, i cili u gjet i fshehur dhe i mbuluar në një distancë rreth 100 m larg, ku pas verifikimit rezultoi se ishte i vjedhur në qytetin e Durrësit.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. B. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale të këtyre dy shtetasve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.