
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do të ftojë presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, dhe presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, në samitin e G20 që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Miami, përcjell Euronews.
Njoftimi erdhi pasi Trump zhvilloi dy biseda telefonike të ndara me liderët e dy vendeve të Azisë Qendrore. Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan i cilësoi marrëdhëniet e SHBA-së me Kazakistanin dhe Uzbekistanin si “spektakolare”.
“Diskutuam rëndësinë e sjelljes së paqes në konfliktet në vazhdim, si dhe rritjen e tregtisë dhe bashkëpunimit mes vendeve tona. Marrëdhëniet me të dyja këto shtete janë spektakolare,” shkroi Trump.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara, si vend pritës i G20 vitin e ardhshëm, do t’u dërgojnë ftesa zyrtare dy presidentëve për të marrë pjesë si të ftuar në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të presidencës kazake, biseda mes Trump dhe Tokayev u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe dhe sfidat ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë. Tokayev theksoi kompleksitetin e konfliktit dhe nevojën për kompromis, durim dhe fleksibilitet nga të gjitha palët.
Edhe pse Kazakistani nuk synon të luajë rolin e ndërmjetësit zyrtar, Tokayev shprehu gatishmërinë për të pritur bisedime paqeje, nëse do të jetë e nevojshme.
Gjatë një vizite të mëparshme, Tokayev njoftoi gjithashtu se Kazakistani do t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, një nismë e administratës Trump për forcimin e lidhjeve mes Izraelit dhe vendeve me shumicë myslimane.
Nga ana tjetër, presidenca uzbeke bëri të ditur se biseda me presidentin Mirziyoyev u fokusua në zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe strategjik. Të dy liderët diskutuan progresin e marrëveshjeve ekzistuese dhe mundësi të reja bashkëpunimi.
Mirziyoyev vlerësoi rolin e Trump në diplomacinë ndërkombëtare dhe theksoi intensifikimin e kontakteve politike mes dy vendeve. Bashkëpunimi ekonomik SHBA–Uzbekistan është në rritje, me projekte që kapin vlera dhjetëra miliarda dollarë në sektorë si aviacioni civil, industria automobilistike, minierat, bujqësia, energjia, infrastruktura dhe teknologjia e informacionit.
Të dy presidentët, Tokayev dhe Mirziyoyev, e kanë ftuar gjithashtu Trumpin për vizita zyrtare në vendet e tyre.
Samiti i ardhshëm i G20 shihet si një platformë kyçe për forcimin e partneriteteve, nxitjen e stabilitetit rajonal dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik të SHBA-së në Azinë Qendrore.