Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali viziton Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup



Ministrja Elisa Spiropali ka ndarë pamje nga vizita e saj në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, duke e cilësuar këtë ndalesë si një moment me rëndësi të veçantë për kujtesën kombëtare.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se Shkupi është një qytet ku historia shqiptare ka lënë gjurmë të thella dhe ku gjenden themelet mbi të cilat është ndërtuar identiteti, dinjiteti dhe vizioni i kombit shqiptar. Ajo përmend figura të shquara si Shën Tereza, Pjetër Bogdani dhe Hasan Prishtina, si dëshmi të kontributit shqiptar në këtë hapësirë.

Sipas ministres, Instituti përbën një pikë referimi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në gjithë hapësirën mbarëshqiptare, falë studimeve mbi gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike.

Spiropali nënvizon se gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, duhet të mbrohet dhe të respektohet si në ligj ashtu edhe në praktikë, duke u përcjellë brez pas brezi si një pasuri e përbashkët e mozaikut multietnik.

“Gjuha shqipe na bashkon si zë historie dhe rrënjë identiteti. Në çdo shkronjë ajo mban kujtesë, dritë dhe sakrificë që ende jeton”, shkruan Spiropali.