Vendosni fjalën kyçe....

Rama tek ‘Onkologjiku’: 15 milionë euro shtesë për barnat, rritje e vazhdueshme e pagave për mjekët dhe infermierët


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”.

 Rama ka vlerësuar punën e mjekëve dhe infermierëve, duke e cilësuar mjekësinë si profesionin më të ndershëm, por edhe ndër më të vështirët. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qeveria do të vijojë politikën e rritjes së pagave për “bluzat e bardha”, si pjesë e mbështetjes për sistemin shëndetësor.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se buxheti i shëndetësisë për vitin e ardhshëm do të ketë 50 milionë euro më shumë krahasuar me këtë vit, ndërsa për barnat onkologjike është parashikuar një shtesë e drejtpërdrejtë financiare. Sipas tij, për këtë qëllim janë alokuar 15 milionë euro shtesë dhe në mesin e vitit të ardhshëm do të shtohen edhe 15 milionë euro të tjera, për të garantuar mbështetje të mëtejshme për pacientët.

“Ka marrë 50 mln euro më shumë se sa këtë vit dhe nuk janë pak për buxhetin tonë. Ka marrë 15 mln euro ekstra vetëm për barna onkologjike dhe do të shtohet edhe një 15 mln tjetër në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një tjetër mbështetje”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se një nga objektivat kryesorë është lehtësimi i presionit mbi Spitalin Onkologjik në Tiranë, përmes forcimit të shërbimeve në spitalet rajonale, duke garantuar furnizim të plotë me barna për pacientët në të gjithë territorin e vendit.

“Shqetësimin do e transformoj në mënyrë që gjithë presioni me Onkologjikun në Tiranë të ndahet me rijetëzimin në spitale rajonale duke garantuar të gjithë mbulimin me barna që të jenë garanci për të gjithë pacientët”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se qeveria ka vendosur rimbursimin e barnave për rreth 400 mijë pacientë dhe se këto masa janë pjesë e vizionit afatgjatë për përmirësimin e sistemit shëndetësor. Ai nënvizoi gjithashtu se do të përmbyllen të gjitha proceset e mbetura pezull dhe se ambicia e qeverisë është ngritja e një instituti kombëtar arsimor për të adresuar mungesën e burimeve njerëzore në shëndetësi.

Në përfundim, Rama rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për të vijuar rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, duke e konsideruar këtë një element kyç për forcimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor në vend.