
Izraeli ka kryer disa sulme ajrore në jug të Libanit, duke goditur atë që e cilësoi si infrastrukturë të Hezbollahut, ndërsa po afrohet afati i fundvitit për çarmatosjen e grupit në jug të vendit nga ana e shtetit libanez.
Aviacioni izraelit bombardoi të mërkurën në mëngjes luginat e Houminit, Wadi Azzas dhe Nimeiriyas në zonën jugore të Nabatieh.
Banorët raportuan se dronët izraelitë vijuan të fluturonin mbi këtë zonë, si edhe mbi rajone të tjera të Libanit jugor dhe luginën lindore të Bekasë, edhe pas përfundimit të sulmeve, përcjell The Guardian.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se kishte goditur pika lëshimi dhe infrastrukturë ushtarake që i përkasin Hezbollahut, prania e të cilave, sipas saj, përbën “shkelje të marrëveshjeve mes Izraelit dhe Libanit”.
Izraeli godet rregullisht jugun e Libanit, në kundërshtim me armëpushimin që është në fuqi prej më shumë se një viti dhe që i dha fund një lufte 13-mujore me Hezbollahun. Sipas ACLED, një organizatë e pavarur monitoruese e konflikteve, Izraeli ka bombarduar Libanin mesatarisht një herë në çdo katër orë që nga zbatimi i armëpushimit.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka qëlluar Izraelin vetëm një herë, gjatë javës pas vendosjes së armëpushimit në dhjetor 2024.
Sulmet ajrore janë shoqëruar me një përshkallëzim të retorikës izraelite javët e fundit, teksa afrohet afati që ushtria libaneze të pastrojë të gjitha armët e Hezbollahut nga zona në jug të lumit Litani.
“Nuk do të ketë qetësi në Bejrut, as rend dhe stabilitet në Liban, derisa të garantohet siguria e shtetit të Izraelit… Hezbollah: ne do t’i çarmatosim,” deklaroi në nëntor ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë një seance parlamentare.
Sipas një plani të miratuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të adoptuar nga ushtria libaneze, deri në fund të vitit ushtria duhet të largojë të gjithë infrastrukturën, armët dhe personelin e Hezbollahut nga zona në jug të Litanit, rreth 30 kilometra nga kufiri me Izraelin.
Në të njëjtën kohë, forcat izraelite duhet të tërhiqen nga Libani, megjithëse trupat e Izraelit vazhdojnë të mbajnë nën kontroll pesë pika në jug dhe të kryejnë rregullisht operacione tokësore atje.
Zyrtarët libanezë thonë se procesi i çarmatosjes së Hezbollahut në jug është thuajse i përfunduar dhe se autoritetet shpesh shkatërrojnë depo të vjetra armësh të grupit.
Zëvendëskryeministri Tarek Mitri deklaroi më 17 dhjetor se qeveria ishte pranë përfundimit të çarmatosjes në jug dhe theksoi se Libani po e respekton “në mënyrë strikte” armëpushimin, ndërsa Izraeli, sipas tij, e shkel vazhdimisht atë.
Izraeli i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke argumentuar se Hezbollahu po përpiqet të rindërtojë kapacitetet e tij përgjatë kufirit.
Të hënën, një sulm me dron izraelit vrau tre burra brenda një automjeti rreth 16 kilometra në jug të qytetit libanez të Saidas, shumë në veri të lumit Litani. Izraeli pretendoi se një prej viktimave, një nënoficer i ushtrisë libaneze, ishte gjithashtu anëtar i Hezbollahut dhe i përfshirë në planifikimin e sulmeve kundër Izraelit.
Autoritetet izraelite e paraqitën praninë e një anëtari të Hezbollahut në ushtrinë libaneze si provë se shteti libanez nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar grupin. Ushtria libaneze dhe Hezbollahu i mohuan këto akuza, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Libanit, Michel Menassa, i cilësoi ato si “një sulm dashakeq ndaj ushtrisë”.
Mediat izraelite raportojnë se një nga temat në axhendën e një takimi të pritshëm mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump është një ofensivë e zgjeruar kundër Hezbollahut në Liban.
Ndërsa sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit vazhdojnë, zyrtarë izraelitë dhe libanezë vijojnë të takohen në qytetin jugor libanez Naqoura për të diskutuar gjendjen e armëpushimit.
Të premten e kaluar, delegacionet përfshinë për herë të dytë edhe përfaqësues civilë, duke shkaktuar reagime të forta në Liban, ku përfshirja e civilëve shihet si hap drejt njohjes së Izraelit – një tabu në politikën libaneze. Përfaqësuesit civilë kishin për detyrë të diskutonin çështje joushtarake, përfshirë bashkëpunimin e mundshëm ekonomik mes dy vendeve.
Izraeli deklaroi se e konsideron angazhimin diplomatik me shtetin libanez të ndarë nga operacionet e tij ushtarake kundër Hezbollahut dhe se po ecën paralelisht në të dyja drejtimet.
Nga ana e tij, shteti libanez i është drejtuar vazhdimisht komunitetit ndërkombëtar për ndihmë, për të ndalur atë që e cilëson si sulme pothuajse të përditshme ndaj sovranitetit të Libanit.