
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë sulme “masive” gjatë ditëve të Krishtlindjes, përcjell DW.
“Nuk përjashtohet mundësia e sulmeve masive në Krishtlindje”, shkroi Zelensky në platformën X, duke bërë të ditur se çështja kryesore e diskutuar në mbledhjen e sotme të Shtabit të Përgjithshëm ka qenë mbrojtja ajrore.
“Sot zhvilluam një mbledhje të Shtabit dhe çështja numër një ishte mbrojtja ajrore: mbrojtja e qyteteve, fshatrave dhe komuniteteve tona, veçanërisht më 23, 24 dhe 25 dhjetor”, u shpreh ai.
Zelensky theksoi se ushtria ukrainase duhet të sigurojë mbrojtjen maksimale të mundshme, por pranoi se vendi po përballet me një mungesë serioze të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Fatkeqësisht, kemi mungesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore”, tha presidenti ukrainas.
Në lidhje me këtë, Zelensky bëri të ditur se Ukraina po punon për një marrëveshje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara për furnizimin me sisteme Patriot.
“Po punojmë për një kontratë të fortë me amerikanët për dhjetëra – disa dhjetëra – sisteme Patriot, të cilat do të sigurohen përmes programeve të ndryshme”, deklaroi ai.