
Policia e Vlorës ka zbuluar një apartament të marrë me qira në lagjen “Pavarësia”, i cili shfrytëzohej si bazë prostitucioni, ku ishte përfshirë një shtetase kineze. Si rezultat i hetimeve, janë identifikuar tre shtetas kinezë si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Operacioni policor, i koduar “Victim”, u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, pas hetimeve të kryera me metoda proaktive.
Sipas policisë, në pranga u vunë shtetasja kineze X. L., 40 vjeçe, dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, të dy banues në Kinë. Ndërkohë, bashkëpunëtorja e tyre, shtetasja kineze K. X., 50 vjeçe, është shpallur në kërkim.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në apartamentin e marrë me qira për këtë qëllim.
Gjithashtu, shtetasja J. G., e cila ushtronte prostitucion, si edhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament në momentin e ndërhyrjes së policisë, janë proceduar penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.
Policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.