
Në një distancë prej 9.3 kilometrash nga kryeqyteti do të ndërtohet një strukturë trekatëshe, e cila do të shërbejë për akomodimin e Komandës së Shtabit të Forcës Tokësore, me një kosto prej rreth 2.5 milionë euro, ose të paktën kaq është fondi limit.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i përzgjedhur për të qenë autoritet kontraktor për këtë procedurë, në dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik jep detaje mbi këtë investim.
“Zona për të cilën realizohet ky studim ndodhet në Zall Herr, Tiranë, në një largësi prej 9.3 km nga qendra e qytetit. Qëllimi i projektit: hartimi i këtij projekti synon të sigurojë ambiente komode dhe të përshtatshme për një institucion të tillë”, thuhet në dokument.
Të njëjtat specifikojnë edhe mënyrën e organizimit të kateve dhe funksionet që do të kryejnë ato.
Konkretisht, kati zero, apo përdhesi, është kati ku ndodhet hyrja kryesore e objektit. Ambientet i dedikohen kryesisht zyrave; gjithashtu, në këtë kat do të ketë edhe një sallë të madhe mbledhjesh. Planimetria e katit përdhe parashikon një holl të madh, i cili do të shërbejë edhe për mbledhje ceremoniale. Ky kat ka një sipërfaqe prej rreth 800 m².
(Kati +1) është i organizuar gjithashtu me zyra. Në këtë kat, në anën e majtë, është bërë një ndarje e disa ambienteve që do të funksionojnë si të veçanta. Pozicioni i zyrës së komandantit është parashikuar në anën veriore, me pamje nga sheshi. Ky kat ka një sipërfaqe prej rreth 800 m².
Kati i dytë (Kati +2), ashtu si katet +1 dhe 0, është i organizuar me zyra në funksion të objektit. Po ashtu, në çdo kat, sa i përket flukseve dhe lëvizjeve vertikale, parashikohet një bllok shkallësh dhe një shkallë antizjarr me dalje nga ana e djathtë e objektit, si dhe grupet e nyjeve higjieno-sanitare, të ndara sipas gjinisë. Ky kat ka një sipërfaqe prej rreth 800 m².
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor

