Vendosni fjalën kyçe....

SHBA ndalon anijen cisternë me naftë pranë brigjeve të Venezuelës


Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar një anije cisterne nafte pranë brigjeve të Venezuelës në ujëra ndërkombëtare, konfirmoi të shtunën Sekretarja e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, Kristi Noem. Ky veprim vjen vetëm pak ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një “bllokadë” për të gjitha anijet cisterne të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

Kjo është hera e dytë në javët e fundit që Shtetet e Bashkuara ndalojnë një anije cisterne pranë Venezuelës, mes një grumbullimi të madh ushtarak amerikan në rajon.

Noem konfirmoi se Roja Bregdetare ndaloi një anije që ishte ankoruar për herë të fundit në Venezuelë.

“Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të ndjekin lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar që përdoret për të financuar narkoterorizmin në rajon,” tha ajo në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale, shkruan Reuters.

Tre zyrtarë amerikanë i kishin thënë Reuters-it më herët të shtunën se mjeti lundrues ishte ndaluar. Roja Bregdetare dhe Pentagoni i drejtuan pyetjet drejt Shtëpisë së Bardhë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se kistnerna përmbante naftë të sanksionuar.

“Ishte një anije me flamur të rremë që operonte si pjesë e flotës hije të Venezuelës për të trafikuar naftë të vjedhur dhe për të financuar regjimin narkoterrorist të Maduros,” shkroi ajo në X.

Ministria e Naftës e Venezuelës dhe kompania shtetërore e naftës PDVSA nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Qeveria e Venezuelës e quajti ndalimin e anijes një “akt të rëndë piraterie ndërkombëtare”.

“Vendi denoncon dhe hedh poshtë vjedhjen dhe rrëmbimin e një mjeti të ri lundrues privat që transportonte naftë, si dhe zhdukjen me forcë të ekuipazhit të tij, të kryer nga personeli ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ujëra ndërkombëtare,” thuhej në deklaratë.