
Dy persona janë arrestuar në pikën kufitare të Bllatës. Ata janë kapur duke transportuar materiale që sipas policisë shërbejnë për ndërtimin e lojërave të fatit.
Në pranga kanë rënë 40-vjeçari A.D. banues në Shkodër dhe bashkëudhëtari A.H., 54-vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi
“Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Degës Doganore Bllatë, në hyrje të R.SH.-së, në Pikën e Kalimit kufitar Bllatë, kanë ushtruar kontroll në automjetin tip “Seat”, me drejtues shtetasin A.D., 40 vjeç, banues në Shkodër, dhe pasagjer shtetasin A.H., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën pajisje të ndryshme (kasa metalike, qarqe elektrike, çelësa, butona), të cilat shërbejnë për kompletimin e pajisjeve të lojërave të fatit, pa u shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve të lartpërmendur, A.D. dhe A.H., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.”