
Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, deklaroi sot se Shqipëria duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, pas vendimit të mazhorancës për të bllokuar arrestimin e Belinda Ballukut. Sipas tij, ky vendim i qeverisë Rama e heq çdo legjitimitet nga pushteti dhe e bën të domosdoshme që qytetarët të vendosin me votë mes drejtësisë dhe një administrate të korruptuar.
“Është e qartë që pas vendimit të mazhorancës për të ndaluar arrestimin e Belinda Ballukut duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka më asnjë kuptim që ndërkohë që drejtësia po heton dhe kërkon arrestimin e të korruptuarve, mazhoranca i merr në mbrotje. Kjo mazhorancë nuk ka më legjitimitet! Nuk ka më arsye pse të qëndrojë në pushtet! Qytetarët shqiptarë duhet të kenë mundësi të zgjedhin midis drejtësisë dhe kësaj qeverie të korruptuar. Duhen zgjedhje të parakohshme!”, tha Shehaj.
Ai shtoi se momenti aktual është historik për Shqipërinë, duke theksuar se drejtësia po funksionon dhe të korruptuarit po dalin para organeve të ligjit, dhe se qytetarët duhet të përdorin votën për të vendosur për fatin e vendit.