Vendosni fjalën kyçe....

“Agjencitë shtetërore po marrin peng biznesmenë për tendera” –Berisha



Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndalur turin e “Foltores” në Kurbin, ku ka mbajtur një fjalim të ashpër me akuza të forta ndaj qeverisë, institucioneve shtetërore dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se agjenci shtetërore janë përdorur, sipas tij, për ushtrimin e presionit dhe dhunës ndaj biznesmenëve dhe punonjësve, me qëllim detyrimin e tyre për t’u tërhequr nga tenderat publikë. Ai pretendoi se persona janë marrë peng dhe janë dërguar në ambiente private të lidhura me individë të botës së krimit.

“A mund ta imagjinoni një agjenci shtetërore që merr peng njerëz, biznesmenë e punonjës, për t’i detyruar të tërhiqen nga tenderat? Kjo situatë nuk ekziston në asnjë vend tjetër përveç Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së përmendi raste konkrete, duke deklaruar se disa persona janë detyruar të heshtin pas kërcënimeve, ndërsa të tjerë janë larguar jashtë vendit. Sipas tij, një pjesë e këtyre rasteve janë bërë publike vetëm pas informacioneve të ardhura nga autoritete të huaja.

Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për ushtrimin e presionit ndaj institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendin, duke pretenduar se është bllokuar heqja e imunitetit dhe marrja e vendimeve ligjore për zyrtarë të lartë. Ai përmendi mbledhje të gjata parlamentare që, sipas tij, janë mbyllur pa vendim dhe pa afat për vazhdimin e tyre.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te çështja e Belinda Ballukut, duke deklaruar se kryeministri, sipas tij, ka ushtruar presion për anulimin e masave ndaj saj. “Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin, por kjo është bllokuar”, tha ai.

Në përfundim, Berisha theksoi se vendi ndodhet në një moment kritik, por shtoi se opozita është më e përgatitur se kurrë për reagim. “Ne kemi përmbysur një diktaturë 35 vite më parë dhe do ta përmbysim edhe këtë situatë në mënyrën më të vendosur”, deklaroi ai.