
Këshilli i Imunitetit në Kuvend shqyrtoi për më shumë se pesë orë kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, por mbledhja u shty pa një datë të caktuar.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në të morën pjesë drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho, si edhe prokurorët e çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Prokuroria kërkon arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se ka prova të reja që rëndojnë pozitën e saj penale, lidhur me dyshime për shkelje të barazisë në 11 procedura tenderimi.
Shkak për shtyrjen e mbledhjes u bë kërkesa e palëve për t’u njohur me materialet e dosjes, të cilat SPAK i ka dorëzuar Kuvendit në një USB që përmban rreth 10 mijë faqe prova. Deputetët anëtarë të Këshillit, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, si dhe avokati i Ballukut, Ardian Kalija, kërkuan kohë për shqyrtimin e plotë të dokumentacionit.
Avokati i Ballukut kërkoi tre javë kohë për t’u njohur me dosjen, duke argumentuar se vetëm kështu mund të përgatisë një mbrojtje efektive, ndërsa SPAK u shpreh se pesë ditë janë të mjaftueshme për shqyrtimin e materialeve.
Debat pati edhe për mënyrën e administrimit të provave, pasi opozita kërkoi që USB-ja të merrej jashtë mbledhjes, ndërsa mazhoranca insistoi që materialet të shqyrtoheshin vetëm brenda ambienteve të Kuvendit. Në përfundim u vendos që USB-ja me provat t’u vihet në dispozicion anëtarëve të Këshillit dhe avokatit të Ballukut për shqyrtim.
Deri tani, anëtarët e Këshillit janë njohur vetëm me relacionin përmbledhës të SPAK, ku theksohet se ndaj Ballukut ekzistojnë prova të reja që justifikojnë kërkesën për masë arresti, në burg ose në shtëpi. SPAK informon se ajo është e pandehur për çështjen e tunelit të Llogarasë, nën hetim për shtatë lote të Unazës së Madhe në Tiranë dhe e dyshuar për disa procedura të tjera, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar.
Mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve pritet të caktohet pasi palët të përfundojnë shqyrtimin e materialeve të dosjes.