Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: AKSHI “kopshti” privat i Ramës, baxhanaku i tij strumbullar i aferave me tenderat


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është shndërruar në një “kopsht privat” të Ramës, me baxhanakun e tij, Armand Frengu, si figurë kyçe në qendër të aferave.

Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi se përmes AKSHI-t janë zhvilluar praktika kriminale që lidhen me tenderat publikë, zhvatje, pengmarrje dhe, sipas tij, edhe cenim të rëndë të sigurisë kombëtare. Ai pretendoi se të dhëna sensitive shtetërore janë vënë në dispozicion të grupeve kriminale.

“Çdo e dhënë për çdo shqiptar, çdo e dhënë për sigurinë kombëtare të këtij vendi, janë disponuar nga elementë kriminalë, përmes një bashkëpunimi kriminal të AKSHI-t, që është database i të gjithë të dhënave,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, në qendër të kësaj skeme qëndron Armand Frengu, të cilin e cilësoi si “strumbullarin” rreth të cilit, sipas Berishës, kanë operuar figura të ndryshme të përfshira në tendera dhe kontrata publike.

Ai përmendi emra biznesmenësh dhe ish-zyrtarësh, duke i akuzuar se kanë bashkëpunuar për zhvatjen e tenderave dhe përfitime të paligjshme.

“AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, që ka për strumbullar baxhanakun e tij, Armand Frengun, rreth të cilit kanë operuar Ermal Beqiri, Gerond Meçe, Ilir Beqaj dhe të tjerë. Kjo është e faktuar,” u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës shkoi më tej duke e cilësuar situatën si “ngjarjen më të rëndë në historinë e sigurisë kombëtare të shtetit shqiptar”, ndërsa kërkoi hetim të thelluar dhe ndëshkim ligjor për të gjithë personat e përfshirë.