
Në mbledhjen e Këshillit të Mandateve po vijon shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas raportimit nga mbledhja, avokati i Ballukut ka kërkuar tre javë kohë për t’u njohur me dosjen hetimore, duke argumentuar se materiali është voluminoz dhe kërkon analizë të detajuar.
Prokurorët e SPAK kundërshtuan këtë kërkesë, duke deklaruar se për njohjen me provat mjaftojnë maksimumi pesë ditë.
Debat ka pasur edhe për mënyrën e administrimit të provave.
Opozita ka kërkuar që USB-ja me materialet hetimore t’u vihet në dispozicion deputetëve për t’u shqyrtuar edhe pas mbledhjes, ndërsa mazhoranca ka insistuar që dokumentacioni të mos dalë nga salla, për shkak të sekretit hetimor.
Prokurorët e SPAK sqaruan se materiali në USB mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe u shprehën dakord që deputetët ta marrin atë për shqyrtim, ndërsa përfaqësues të shumicës këmbëngulën që provat të shihen vetëm gjatë mbledhjes.