
Një 31-vjeçar shqiptar është arrestuar në Mal të Zi, pasi ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Bëhet fjalë për Magiljan Dedën, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës kishte caktuar në muajin prill masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve, Deda akuzohet se, së bashku me shtetas të tjerë, ka kultivuar mijëra bimë narkotike në fshatrat Gocaj dhe Rraboshtë të qarkut Lezhë, të cilat më pas janë përpunuar me qëllim shitjen.
Veprimtaria kriminale u zbulua dhe u ndërpre falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë së Lezhës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”. Gjatë këtij operacioni, në fshatin Balldre, në muajin prill të këtij viti, u sekuestruan tre thasë me rreth 34 kilogramë lëndë narkotike cannabis.
Autoritetet po vijojnë procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit drejt Shqipërisë.