
Besimi i biznesit në Gjermani u përkeqësua në muajin dhjetor më shumë sesa pritej, duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet ekonomia më e madhe e Evropës në përpjekjet për të lënë pas disa vite dobësie ekonomike.
Indeksi i pritshmërive i publikuar nga instituti Ifo ra në 89.7 pikë nga 90.5 pikë në nëntor, shifër kjo e rishikuar, sipas të dhënave të bëra publike të mërkurën, duke rezultuar nën vlerësimin mesatar të një sondazhi të Bloomberg.
Ndërkohë, treguesi që mat vlerësimin e kushteve aktuale mbeti i pandryshuar. Presidenti i institutit Ifo, Clemens Fuest, deklaroi se kompanitë janë bërë më pesimiste për gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa vlerësimi i tyre për gjendjen e tanishme nuk ka ndryshuar, duke shtuar se viti po mbyllet pa asnjë ndjenjë optimizmi.
Këto të dhëna pasojnë shifra të përziera të publikuara një ditë më parë, kur sondazhet e biznesit nga S&P Global treguan se aktiviteti i sektorit privat u rrit me një ritëm më të dobët se sa ishte parashikuar për këtë muaj, ndërsa instituti ZEË raportoi se pritshmëritë ekonomike u rritën në nivelin më të lartë që nga muaji korrik.
Ekonomia gjermane po përpiqet të dalë nga një rënie e zgjatur, gjatë së cilës Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr si në vitin 2023 ashtu edhe në vitin 2024, duke mbetur veçanërisht e ekspozuar ndaj tarifave më të larta të Shteteve të Bashkuara, kërkesës së dobët globale dhe problemeve strukturore afatgjata, si burokracia e tepërt.
Gjermania arriti t’i shpëtojë me vështirësi një recesioni këtë vit, pasi prodhimi ekonomik ngeci në tremujorin e tretë, pas një rënieje prej 0.2 për qind në tre muajt paraardhës. Dobësia ekonomike gjatë periudhës korrik-shtator u nxit kryesisht nga eksportet dhe shpenzimet e konsumit familjar, megjithëse në vitet në vijim pritet që një rritje e ndjeshme e shpenzimeve për infrastrukturën dhe mbrojtjen të ofrojë mbështetje për aktivitetin ekonomik.
Në të njëjtën kohë, ekonomistët dhe përfaqësuesit e biznesit po i bëjnë thirrje koalicionit qeverisës të kancelarit Friedrich Merz që të përshpejtojë reformat, me synimin për të përmirësuar kushtet për kompanitë dhe për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë gjermane, shkruan Bloomberg.