Vendosni fjalën kyçe....

Virusi në krahët e pulës? OBSH qetëson njerëzit: Nuk ka të dhëna se ushqimi përhap koronavirusin


Kina tha se kishte gjetur gjurmë të virusit në ushqime, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar duke thënë se nuk ka të dhëna se ushqimi përhap virusin.

“ Njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga ushqimi, paketimi i ushqimit ose përpunimi dhe dërgimi i ushqimit”– ka thënë udhëheqësi i Programit të OBSH-së për Emergjencat, Mike Ryan.
“Nuk ka të dhëna se ushqimi apo zinxhiri ushqimor është pjesë e përhapjes së virusit. Njerëzit duhet të jenë rehat dhe të sigurt”– shtoi ai.

Reagimi nga OBSH-ja vjen pasi dy qytete kineze thanë se kishin gjetur gjurmë të sëmundjes vdekjeprurëse në krahët e ngrirë të pulave të importuara nga Brazili dhe në paketimin e jashtëm të karkalecave të ngrira ekuadoriane.

Epidemiologia e OBSH-së, Maria Van Kerkhove tha se Kina kishte testuar qindra mijëra pako dhe kishte gjetur më pak se 10 pako, që ishin pozitive me virus.

OBSH-ja ka bërë këto deklarata teksa numri i personave të vdekur si pasojë e këtij virusi në botë, ka tejkaluar shifrën 750,000 sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Sipas po këtij institucioni, numri i të infektuarve në nivel global me koronavirus ka shkuar në më shumë se 20,7 milionë.

Ryan ka paralajmëruar se bota mund të jetë vetëm në fillim të kësaj pandemie, sepse vetëm një pjesë e vogël e popullsisë globale i është ekspozuar virusit.
“Virusi ka rrugë të gjatë nëse ne e lejojmë”, ka shtuar mes tjerash ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *