
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit zhvillohet sot seanca për shqyrtimin e kërkesës së zëvendëskryeministres Belinda Balluku për heqjen e masave të sigurisë, konkretisht pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, masa këto të vendosura më herët nga GJKKO.
Balluku është nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderë, lidhur me procedurat për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë 210 milionë euro, si dhe për 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, projekt për të cilin janë prokuruar rreth 450 milionë euro.
Sipas hetimeve, akuzat e reja lidhen me disa kontrata infrastrukturore, mes tyre punimet për segmentin “Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”, “Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2”, “Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, urat mbi lumin Tirana”, si dhe ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës për lotet 4, 5, 6 dhe 7.
Paralelisht me çështjen e Ballukut, Apeli i GJKKO pritet të shqyrtojë edhe kërkesat për heqje ose zbutje të masave të sigurisë të paraqitura nga drejtori i KESH, Erald Elezi, i cili ndodhet aktualisht në “arrest shtëpie”, si dhe nga kreu i ARRSH, Gentian Gjyli.
Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse masat e sigurisë do të mbeten në fuqi apo do të ndryshohen, ndërsa hetimet për aferat e dyshuara vijojnë.