Vendosni fjalën kyçe....

Nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e procedurave doganore ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë


Doganat Shqiptare dhe Greke nënshkruan një marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave para mbërritjes së mallrave, me qëllim përmirësimin e analizës së riskut dhe përshpejtimin e procedurave doganore në pikat kufitare mes dy vendeve.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në Bruksel ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Genti Gazheli, dhe Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike (IAPR) të Republikës Greke, përfaqësuar nga Guvernatori, z. Georgios Pitsilis.

Ceremonia e nënshkrimit u organizua nga Komisionerja për Zgjerim, znj. Marta Kos, dhe mblodhi drejtues të autoriteteve doganore, si dhe Drejtorin e CEFTA-s dhe Drejtorin e Komunitetit të Transportit, përcjell Monitor.

Ky Memorandum është pjesë e Iniciativës “Green Lanes”, e cila synon thjeshtimin dhe përshpejtimin e kontrolleve kufitare, reduktimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e flukseve tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, përmes rritjes së koordinimit dhe shkëmbimit të të dhënave ndërmjet administratave doganore.

Gjatë aktivitetit, Komisionerja për Zgjerimin znj. Marta Kos theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit doganor për mbështetjen e integrimit rajonal, lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike.

Kjo marrëveshje përbën një hap konkret drejt modernizimit të bashkëpunimit doganor dhe përshpejtimit të procedurave kufitare, në përputhje me standardet evropiane dhe objektivat e procesit të integrimit në Bashkimin Europian.