
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni u shpreh në parlamentin italian se: “Marrëveshja me Shqipërinë për kampet e emigrantëve do të funksionojë”.
Meloni deklaroi se “modeli Shqipëri”, po ndiqet me interes nga shumë vende evropiane, dhe në Itali do të kontribuojë në uljen e flukseve të emigracionit të parregullt, përcjell Tg24.
Sipas saj, ky model shërben edhe si mjet parandalues për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, pavarësisht kundërshtimeve nga e majta, e çdo rangu dhe niveli.
“Modeli i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, për të zgjidhur emigracionin e paligjshëm do të ketë sukses. Ky model shërben më së miri dhe si mjet parandalues për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore, pavarësisht kundërshtive nga e majta, e çdo lloj niveli”, tha Meloni.
Deklarata u bë gjatë fjalimeve në parlament, në prag të mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Evropian, ku do të diskutohet edhe situata e sigurisë dhe migracionit në rajon.
Meloni foli në parlamentin italian edhe për situatën në Ukrainë, ku theksoi se Italia nuk ka dhënë miratim për përdorimin e aseteve ruse dhe se çdo vendim kërkon një bazë të fortë ligjore.