
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi ka publikuar në Facebook një faksimile nga dosja e SPAK ndaj zv.kryeministres Balluku, ku sipas prokurorisë numri dy i qeverisë i ka bërë presion vartëses së saj, e cila është pyetur.
Ai thekson se për Ramën nuk ka asnjë rrugë të mesme, ose do dorëzojë të pandehurën Balluku ose do mbajë përgjegjësi për pengimin e drejtësisë.
“Edi Rama nuk ka më alibi! Rreziku për intimidimin e dëshmitarëve dhe prishja e provave është e vetmja arsye pse ekzistojnë masat e sigurimit.
SPAK me metoda speciale hetimi ka provuar se Belinda Ballukun ka intimiduar dëshmitarët. Provat ekzistojnë, i ka sjell edhe në Kuvend, por Niko Peleshi i ka mbyllur në kasafortë. Vonesat, kasafortat dhe fshehja e fakteve janë vetëm manovra të dëshpëruara të Edi Ramës për të blerë kohë.
Çdo minutë shtesë që Belinda Balluku mbahet në detyrë është një zgjedhje politike e Edi Ramës. Një zgjedhje për të mbrojtur veten!
Por nuk ka më as rrugëdalje për kryeministrin e Republikës së Korrupsionit! Edi Rama duhet të zgjedhë: të dorëzojë të pandehurën Belinda Balluku, ose të mbajë përgjegjësi për pengimin e drejtësisë. Rrugë të mesme nuk ka!” – shkruan Bardhi.
