Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria amerikane godet tre varka që dyshohet se transportonin drogë, vriten 8 persona


Ushtria e SHBA-së kreu sulme kundër tre varkave që dyshoheshin për trafik droge në lindje të Oqeanit Paqësor të hënën, duke vrarë 8 persona, sipas Komandës Jugore të SHBA-së (SOUTHCOM).

“Më 15 dhjetor, me udhëzimin e Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, Forca e Përbashkët Operacionale ‘Shtiza Jugore’ (Southern Spear) kreu sulme kinetike vdekjeprurëse mbi tre mjete lundruese të operuara nga Organizata Terroriste të Përcaktuara në ujërat ndërkombëtare,” shkroi SOUTHCOM në X. “Inteligjenca konfirmoi se mjetet po kalonin përgjatë rrugëve të njohura të narkotrafikut në Paqësorin Lindur dhe ishin të angazhuara në trafikim narkotikësh.”

Të paktën 95 persona janë vrarë deri tani në sulmet mbi varkat e dyshuara të drogës si pjesë e një fushate të quajtur “Operacioni Shtiza Jugore”, për të cilën administrata Trump ka thënë se synon frenimin e trafikimit të narkotikëve. Ushtria amerikane goditi së fundmi një varkë të dyshuar droge më 4 dhjetor në Paqësorin Lindor, duke vrarë katër persona në bord, sipas një postimi tjetër në rrjetet sociale nga SOUTHCOM.

Administrata Trump i ka thënë Kongresit se SHBA-ja është në një “konflikt të armatosur” kundër karteleve të drogës, i cili filloi me sulmin e parë më 2 shtator, shkruan CNN.