Vendosni fjalën kyçe....

Spanja do të nxjerrë abone kombëtare për transportin publik, me tarifë 60 euro në muaj



Qeveria socialiste e Spanjës ka njoftuar nisjen e një aboneje kombëtare për transportin publik, e cila do t’u mundësojë qytetarëve të udhëtojnë në të gjithë vendin me autobus dhe tren për një tarifë fikse mujore prej 60 eurosh, përcjell Guardian.

Nisma u prezantua këtë të hënë nga kryeministri Pedro Sánchez, i cili bëri të ditur se skema do të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të muajit janar. Sipas tij, masa synon të ndryshojë mënyrën se si spanjollët e perceptojnë dhe e përdorin transportin publik, duke e bërë atë më të aksesueshëm dhe më ekonomik.

Abonimi do të kushtojë 30 euro në muaj për të rinjtë nën moshën 26 vjeç dhe do të përfshijë udhëtimet me trena rajonalë dhe periferikë, si edhe shërbimet kombëtare të autobusëve. Kryeministri theksoi se për disa punonjës, kjo skemë mund të ulë shpenzimet mujore të udhëtimit deri në 60 për qind.

Lajmi vjen në një moment të vështirë politik për qeverinë e Sánchez, e cila po përballet me akuza për korrupsion dhe ngacmime seksuale ndaj figurave të afërta me pushtetin. Megjithatë, kryeministri ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke deklaruar se qeveria do të vijojë mandatin deri në vitin 2027.

Sánchez e cilësoi abonimin e ri si dëshmi të angazhimit të qeverisë për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve, duke theksuar se politika duhet të përqendrohet në lehtësimin e barrës ekonomike për njerëzit e zakonshëm. Skema spanjolle ndjek një model të ngjashëm me atë të Gjermanisë, e cila prej vitit 2023 ka aplikuar një biletë mujore kombëtare për transportin publik.