![]()
Sipas të dhënave në kohë reale nga “IQAir”, kompani me bazë në Zvicër që monitoron cilësinë e ajrit në botë, Shkupi dhe Sarajeva janë renditur ndër qytetet e mëdha me ajrin më të ndotur globalisht, transmeton Anadolu.
Në listën e qyteteve të mëdha me indeksin më të lartë të ndotjes së ajrit (AQI), Sarajeva ndodhet në vendin e dytë në botë, me një nivel të lartë të grimcave PM2.5, që konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin.
Në këtë renditje, kryeqyteti i Bosnjë dhe Hercegovinës është e radhitur vetëm pas qytetit Lahore në Pakistan.
Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, renditet gjithashtu shumë lart, në vendin e pestë në botë për ndotjen e ajrit, ndërsa para tij, në vendin e tretë dhe të katërt respektivisht, ndodhen Kolkota dhe Delhi në Indi.
Këto të dhëna tregojnë se ajri në këto dy qytete tejkalon në mënyrë të konsiderueshme vlerat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, veçanërisht për grimcat e imëta PM2.5, të cilat janë të lidhura me sëmundje të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare.
Sipas ekspertëve, ndër shkaqet kryesore të ndotjes së ajrit në rajon janë përdorimi i madh i qymyrit dhe lëndëve djegëse me cilësi të ulët, numri i lartë i automjeteve të vjetra me sisteme të dobëta filtrimi, kontrollet jo mjaftueshëm efektive në zonat industriale dhe kushtet gjeografike që kufizojnë qarkullimin e ajrit, duke bërë që ajri i ndotur të grumbullohet në qendrat urbane.