Vendosni fjalën kyçe....

Salianji nga Elbasani: Katër orë gjyq për mua dhe 15 minuta për Ballukun – Qeveria rrëzohet vetëm me protesta dhe votë


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot në Elbasan një bashkëbisedim me mbështetësit e tij, ku artikuloi hapur kritikat ndaj mënyrës se si, sipas tij, opozita po e menaxhon përballjen me mazhorancën, si dhe hodhi akuza për standarde të dyfishta politike dhe institucionale.

Në fjalën e tij, Salianji theksoi se Partia Demokratike ka vetëm dy rrugë për të përballur qeverinë e Edi Rama: protesta të fuqishme dhe mobilizim maksimal për votën.

Ai u ndal edhe te debatet e fundit brenda strukturave drejtuese të PD-së, duke shprehur pakënaqësi për fokusin, që sipas tij, po zhvendoset nga qeveria te përplasjet e brendshme.

“Mbledhjet tona shndërrohen në gjyqe ndaj demokratëve. Në vend që të gjykojmë qeverinë dhe të kemi strategji të qartë për opozitën, mbledhja e fundit ishte katër orë gjyq për mua dhe për ju dhe vetëm 15 minuta për Belinda Ballukun dhe Edi Ramën”, deklaroi Salianji, duke e cilësuar këtë qasje si të gabuar dhe demobilizuese.

Ai shtoi se rruga e vetme, sipas tij, është dëgjimi i demokratëve, analiza e thellë e situatës politike dhe përballja direkte me mazhorancën, deri në rrëzimin e saj përmes votës ose dorëheqjes.

“Nuk ka rrugë tjetër. Duhet respekt për demokratët, dëgjesë reale dhe protesta të fuqishme. Rama ka vetëm dy mënyra për t’u rrëzuar: me protesta masive dhe me votë”, u shpreh ish-ligjvënësi.

Në vijim të takimit, Salianji u bëri thirrje demokratëve të Elbasanit dhe mbarë opozitarëve që të marrin pjesë masivisht në protestën e 22 dhjetorit përpara Kryeministrisë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment kyç për të dhënë një mesazh të fortë politik.

“Kur i gjithë sistemi shtetëror është i rrënuar nga interesi personal i kryeministrit, ka vetëm një rrugë: protesta, protesta, protesta. Më 22 dhjetor, e gjithë energjia e Elbasanit duhet të përplaset në dyert e Kryeministrisë”, deklaroi Salianji.

Ai bëri edhe një paralelizëm politik, duke përmendur Donald Trump, për mënyrën se si, sipas tij, shoqëritë duhet të përballen me të shkuarën. “Një shoqëri që nuk përballet me të shkuarën e përsërit atë. Sot protesta kombëtare duhet të jetë një zgjim i madh për gjithë popullin opozitar”, theksoi Salianji.

Në përfundim, ish-deputeti nënvizoi se opozita nuk duhet të mbetet në ankesa dhe justifikime, por të ndërmarrë veprime konkrete.

“Kjo nuk ndodh duke qarë nga mëngjesi deri në darkë. Kjo ndodh me bashkim, me dëgjesë dhe me veprim. Vetëm kështu PD mund të rikthehet fituese”, përfundoi ai.