
Komisioni Evropian ka prezantuar Planin e parë Evropian për Strehimin e Përballueshëm, me synim uljen e çmimeve të banesave dhe përballimin e krizës së strehimit që po prek shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, përcjell Euronews.
Plani fokusohet në rritjen e ofertës së banesave dhe nxitjen e investimeve publike dhe private, duke përfshirë lehtësimin e rregullave për ndihmën shtetërore, në mënyrë që qeveritë të mund të mbështesin më gjerësisht ndërtimin e banesave sociale dhe të përballueshme. Ai parashikon gjithashtu investime të reja në strehimin social dhe studentor, si dhe hartimin e një legjislacioni të posaçëm për qiratë afatshkurtra.
Sipas Komisionit, që nga viti 2013 çmimet e banesave në BE janë rritur me mbi 60%, ndërsa qiratë mesatare me rreth 20%. Në vitin 2023, familjet evropiane shpenzuan mesatarisht 19.7% të të ardhurave për strehim, ndërsa në vende si Greqia, Danimarka dhe Gjermania, mbi 13% e familjeve shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave të disponueshme për banesë.
Kriza e strehimit prek drejtpërdrejt qytetarët në të gjithë BE-në: rreth 16% e popullsisë jeton në kushte mbipopullimi, 10.6% nuk mund të përballojë ngrohjen e duhur, ndërsa afro një milion persona rezultojnë të pastrehë. Ndërkohë, rreth 20% e banesave janë të pabanuara.
Komisioni vlerëson se për të përballuar situatën është e nevojshme ndërtimi i rreth 650 mijë banesave shtesë në vit, përtej nivelit aktual të ndërtimit, me një kosto të përllogaritur prej rreth 150 miliardë eurosh në vit.
Në kuadër të planit, BE-ja do të mobilizojë të paktën 11.5 miliardë euro nga buxheti shumëvjeçar në vitet e ardhshme, të cilat do t’i shtohen 43 miliardë eurove tashmë të dedikuara për strehim social, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm. Bankat dhe institucionet kombëtare e rajonale pritet të investojnë rreth 375 miliardë euro deri në vitin 2029.
Komisioneri evropian për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jørgensen, u shpreh se strehimi nuk është thjesht një mall, por një e drejtë themelore, duke theksuar nevojën për mobilizimin e të gjitha burimeve për të garantuar që çdo qytetar në Evropë të ketë mundësi për një banesë të denjë.