
Ka përfunduar pas gati tetë orësh seanca gjyqësore për 16 personat e arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Metalurgjiku”, të zhvilluar në Elbasan për vepra penale në fushën e krimit mjedisor.
Gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Elis Dine, ka vendosur lirimin e të gjithë të arrestuarve, duke e cilësuar të paligjshëm arrestimin e tyre. Seanca ishte e fokusuar në vlerësimin e masës së sigurisë.
Prokuroria e Elbasanit u përfaqësua nga kryeprokurori Kreshnik Ajazi, i cili bëri të ditur se organi i akuzës do të apelojë vendimin e gjykatës.
Sipas hetimeve, dy kompani të ferrokromit që ushtronin aktivitet pranë ish-Metalurgjikut në Elbasan dyshohet se kanë shkaktuar ndotje masive mjedisore. Ndërkohë, tetë aksionerë të këtyre kompanive vijojnë të jenë në kërkim.