Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Ramën: Do ta mbrojë Ballukun për të fshehur aferën e përbashkët


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Nëpërmjet një postimi, Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se po përgatitet ta mbrojë Ballukun politikisht, jo për arsye parimore, por për të mbrojtur veten.

“Rama do të përdorë si mburojë fustanin e Lubisë. Në reagim të kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubisë, Rama nëpër rreshta shpall se ai do ta mbrojë me çdo çmim, sepse mbron veten e tij”, deklaroi Berisha.

Sipas kreut të PD-së, Rama dhe Balluku janë të lidhur përmes një afere të përbashkët korruptive.

“50 milionë euro i kanë ndarë bashkë. Reagimi i tij në rrjetet sociale mund të mblidhet me dy fjalë: ‘Jetën e japim, Lubinë nuk e japim’”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se mbrojtja politike ndaj Ballukut është paralajmërim i qartë se kryeministri do të veprojë njësoj edhe në rast se drejtësia do të vijë deri tek ai vetë.

“Imagjinoni kur t’i komunikojnë akuzën vetë atij”, theksoi Berisha.

Në fund të reagimit të tij, kreu i opozitës i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë përmes protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike më 22 dhjetor në Tiranë.

“Qytetarë, është ora juaj. Populli do të thotë fjalën e tij më 22 dhjetor”, përfundoi Berisha.