Vendosni fjalën kyçe....

Bankat në Kosovë rrisin kamatat dhe tarifat e shërbimeve


Normat e interesit në bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme. Përveç rritjes së kamatave, një pjesë e bankave këtë vit kanë shtrenjtuar ndjeshëm shërbimet e tyre për klientët.

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, bankat komerciale në Kosovë kanë rritur ndjeshëm normat e interesit për kredi, duke kaluar nga 6 në gati 7 për qind – që përbën rritje prej afro 15 për qind.

Në disa raste, kamata ka shkuar deri në 10 për qind, varësisht nga lloji i kredisë.

Sipas të dhënave zyrtare, në janar norma mesatare e interesit ishte 6.01 për qind, ndërsa në shtator është 6.9 për qind. Në të njëjtën periudhë, vlera e kredive të reja është ulur: në shkurt ato arrinin 230 milionë euro, ndërsa në shtator vetëm 190 milionë euro.

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, ka treguar se rritja e normave të interesit lidhet me politikat e Bankës Qendrore, inflacionin dhe krizën institucionale që po kalon vendi.

“Inflacioni i lartë shton rrezikun e mospagesës nga qytetarët, sepse shpenzimet e tyre të përditshme janë më të larta. Kjo i shtyn bankat të kërkojnë primi më të madh të rrezikut dhe pastaj kemi kamata më të larta. Si përmbledhje, kemi një lidhje inflacion–kapital–kamatë”.

Ai shton se ndikim të madh ka pasur edhe rritja e rezervave të detyrueshme që bankat duhet t’i mbajnë, e cila ndikon drejtpërdrejt në koston e kreditimit.

“Deri në këtë vit, bankat kishin minimum 8 ose 12 për qind kapital në raport me asetet e rrezikuara. Nga ky vit, BQK-ja e ka rritur këtë në 10 dhe 14 për qind. Në këtë rast bankat duhet të mbajnë më shumë kapital rezervë për çdo kredi që japin. Kjo nënkupton më pak hapësirë për kredi të reja, sepse kostoja e kapitalit rritet. Për ta kompensuar këtë ‘bllokim kapitali’, bankat i transferojnë kostot te klientët përmes kamatave më të larta”.

Nga Banka Qendrore e Kosovës kanë konfirmuar se kanë vendosur një shtesë prej 2 për qind mbi asetet me rrezik, me qëllim të forcimit të stabilitetit financiar.

“Shtesat e kapitalit shërbejnë për qëllim të fuqizimit të sektorit bankar, përkatësisht aftësisë së bankave për t’u përballur me rreziqe në situata të caktuara”.

Sipas këtij institucioni, kreditimi në gjysmën e parë të vitit 2025 ka qenë më i përshpejtuar se në vitin paraprak, veçanërisht në muajin maj, kur është regjistruar rritje prej 21 për qind krahasuar me majin e vitit 2024. Rritje është shënuar edhe në muajt pasues, në nivel deri në 18 për qind.

Përveç rritjes së kamatave, një pjesë e bankave komerciale në Kosovë këtë vit kanë shtrenjtuar ndjeshëm shërbimet e tyre për klientët.

Ngritje janë regjistruar në tarifat për tërheqje të parave në degë, mirëmbajtjen e kartelave, si dhe në përdorimin e aplikacionit e-banking.

Për tërheqje në degë deri në vlerën e 10 eurove, tarifa është rritur nga 2 në 4 euro.

Mirëmbajtja mujore për aplikacionin “e-banking” për individë, që më parë ishte falas, tani është 0.50 euro.

Mirëmbajtja vjetore e kartelave “Visa” dhe “MasterCard” është rritur nga 15 në 18 euro.

Një bankë tjetër ka ngritur tarifën për njoftime SMS nga 10 cent në 20 cent për çdo verifikim ose blerje “online”.

Po ashtu, norma e këmbimit për transaksionet me kartelë në valuta jo-euro është dyfishuar, nga 1% në 2%.

Në lidhje me ndryshimet çmimore, gjatë viteve 2024–2025, Banka Qendrore ka pranuar gjithsej 17 ankesa nga klientët për tarifat bankare.

Fitimet rekord të sektorit bankar

Sipas të dhënave të BQK-së, sektori bankar në Kosovë ka mbyllur vitin 2024 me një fitim neto prej 182.1 milionë euro, që është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në vend. Ndërkaq, nga janari deri në shtator të këtij viti, fitimi neto i bankave komerciale ka arritur 137.2 milionë euro.

Ndryshimet e shpeshta të tarifave kanë shkaktuar pakënaqësi edhe te komuniteti i bizneseve.

Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka thënë se kompanitë janë përballë pasigurive të mëdha në planifikimin e shpenzimeve të tyre.

“Bizneset nuk kanë asnjë siguri sa i përket planifikimit të shpenzimeve, sepse tarifat bankare po ndryshojnë shpesh dhe pa paralajmërim të qartë”.

Bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit dhe të depozitave, duke u bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë direkt te to.

Sipas BQK-së, tregu bankar funksionon si një treg i lirë, ku kushtet e tregut përcaktojnë koston e fondeve dhe të kredive.

Në Kosovë operojnë 11 banka komerciale, ndërsa funksionojnë edhe nëntë institucione mikrofinanciare që ofrojnë kredi për qytetarët. Megjithëse kushtet e këtyre të fundit janë më të lehta, normat e interesit që aplikojnë janë dukshëm më të larta, rreth 20 për qind./Monitor