Vendosni fjalën kyçe....

Vlorë/ Digjet një automjet në Qafën e Llogarasë, një person gjendet i pajetë brenda makinës


Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e së hënës në Qafën e Llogarasë, ku një automjet tip BMW është përfshirë nga flakët, ndërsa brenda tij është gjetur trupi i pajetë i një personi.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:35, në zonën që të çon drejt antenave.

Fillimisht në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, por automjeti është djegur plotësisht. Viktima është gjetur në sediljen e drejtuesit të mjetit.

Për shkak të djegies totale, targa e automjetit nuk ka qenë e identifikueshme, ndërsa autoritetet dyshojnë se personi mund të jetë vrarë dhe më pas makina të jetë djegur për të fshehur gjurmët.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e viktimës.

Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se grupi hetimor ndodhet në terren dhe vijon punën për sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.