
Autoritetet federale amerikane kanë arrestuar katër persona të dyshuar për planifikimin e sulmeve të koordinuara me bomba në zonën e Los Anxhelosit, të cilat pritej të kryheshin në natën e ndërrimit të viteve.
FBI bëri të ditur se arrestimet janë kryer gjatë fundjavës në Lucerne Valley, një zonë shkretinore në lindje të Los Anxhelosit, përcjell Ynet.
Sipas hetuesve federalë, grupi dyshohet se po përgatiste shpërthime në pesë lokacione të ndryshme në Kaliforninë Jugore, me synim që sulmet të ndodhnin në mesnatën mes 31 dhjetorit 2025 dhe 1 janarit 2026.
Autoritetet thonë se të dyshuarit kishin hartuar një dokument ku përshkruhej plani i sulmit dhe po testonin pajisje shpërthyese artizanale në momentin e arrestimit.
Objektivat e planifikuara përfshinin edhe dy kompani amerikane, emrat e të cilave nuk janë bërë publikë.
Sipas autoriteteve federale, katër të arrestuarit janë identifikuar si pjesëtarë të një fraksioni veçanërisht radikal të grupit ekstremist të majtë “Turtle Island Liberation Front”, i cili mban qëndrime antiqeveritare, armiqësore ndaj forcave të rendit dhe mbështet kauza pro-palestineze. Termi “Turtle Island” përdoret nga disa aktivistë indigjenë për t’iu referuar Amerikës së Veriut.
Hetimet tregojnë se drejtuesit e këtij grupi operojnë në Los Anxhelos dhe në komunikimet e tyre bëjnë thirrje për atë që e quajnë “çlirimi” i Amerikës së Veriut nga imperializmi amerikan, si edhe për çlirimin e Palestinës, Havait dhe Porto Rikos.
Katër të dyshuarit janë akuzuar për komplot dhe posedim të pajisjeve shpërthyese, ndërsa autoritetet amerikane kanë bërë të ditur gjithashtu se një person i pestë është arrestuar në New Orleans, i cili dyshohet se ka lidhje me të njëjtin rrjet ekstremist dhe po planifikonte një sulm të veçantë.
Autoritetet federale kanë njoftuar se pritet të mbajnë një konferencë për shtyp për të dhënë detaje të tjera, ndërsa hetimet vijojnë.