Vendosni fjalën kyçe....

Rexhep Rraja në krye të grupit të trafikut të drogës që goditi SPAK


Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, rezulton të ketë qenë drejtuesi i një prej grupeve kriminale të goditura me urdhër të SPAK, të cilat dyshohet se kanë trafikuar rreth 2.4 tonë marijuanë dhe kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Dosja hetimore e SPAK zbardh në detaje komunikimet mes anëtarëve të grupit, konfliktet e brendshme pas sekuestrimeve të drogës në dogana, si edhe dyshimet për tradhti mes tyre. Në këtë grup kriminal bënin pjesë edhe dy anëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja pronar i gurores në Borizanë, e përfshirë më herët në një ngjarje dhune si dhe Gazmir Rraja. Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit përbëhej nga Bujar Sefa (alias Xaka), Agim Nina (alias Lorenc Selmani), Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që transportonte lëndën narkotike me kamion, shkruan Shqiptarja.com.

Agim Nina ishte personi që mbante kontakt të drejtpërdrejt me shoferin e kamionit, i cili vazhdimisht e informon Jani Çavon dhe më pas anëtarë të tjerë të grupit mbi vendndodhjen e shoferi, duke i dërguar me foto komunikimet që ka patur me shoferin në aplikacionin “WhatsApp”, i cili e vë në dijeni për vendndodhjen, mjetet që kishte përpara në radhë në pikën kufitare Edirne-Kapikule, skanerin që do i bëhej kamionit dhe më pas për kontrollin fizik të mjetit, fakt për të cilin ndihej i shqetësuar.

Mëngjesin e datës 27 janar 2021, Gazmir Rraja i shkruan Bujar Sefës se është vënë në dijeni nga drejtuesi i kamionit, se kishte hyrë në ambientet e doganës turke, por sipas tij, mjetin e kanë futur për kontroll fizik, dhe nuk kishte dalë nga ambientet e doganës, ndërsa drejtuesi i mjetit pas atij momenti nuk ka kthyer asnjë lloj përgjigje.

“O vëlla, ajo rruga që patëm nis ka hy mbrëm në dogan nga ora tetë e darkës, na lajmëroi se jam tu hy, ene jan tu më fut në kontroll fizik, tha ai shoferi mo. I ka thën atij pronarit të kompanisë, edhe ma çoi ai lokacionin ene bisedat e të gjitha, domethën ka hy mbrëm në tetë të darkës e nuk ka dale ala. As nuk ka kthe përgjigje asnjë lloj gjëje. Ka çu rob ai sot, e ka ра kamjoni është aty në dogan, mirëpo as në lajme ska dale asnjë gjë, deri nesër tha ju sqaroj”, i shkruan ai.

Gazmir Rraja i shkruan Sefës se me 99% drejtuesi i kamionit është arrestuar, por ende asgjë nuk ka dalë në lajme.

“Nëntëdhjet e nëntë përqind ne menojm se ka ra, a e kupto, se dersa ka hy mbrëm në tet të darkës e ska dal ala prej kontrollit, do të thotë se e kan kap. Mendoj se ka ra, po nesër mo sqarohet sa të dal nëpër media nëpër gjona, të tregojnë edhe lajmet, të gjitha mo, ta shohim se sdim gjë as ne për zotin ala”, vijon ai.

Për të lexuar dosjen e plotë kliko Këtu