
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, po zhvillojnë sot në Elbasan një takim me fermerë dhe sipërmarrës të sektorit bujqësor në kuadër të diskutimeve për Buxhetin 2026.
Gjatë fjalës së tij Ministri Andis Salla tha se për fermerët që deri më sot janë paguar deri në 50% ‘kemi parashikuar në aktin normativ shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon’.
Salla theksoi se gjatë viteve të fundit qeveria ka rritur ndjeshëm mbështetjen buxhetore për bujqësinë dhe zhvillimin rural, duke financuar mbi 65 mijë fermerë në të gjithë vendin.
“Këto vite, ja kemi dalë të zhvillojmë sektorin bujqësor dhe rural në Shqipëri duke rritur mbështetjen buxhetore për sektorin dhe financuar mbi 65 mijë fermerë në gjithë vendin.
Për fermerët që deri më sot janë paguar deri në 50%, kemi parashikuar në aktin normativ shlyerjen e pjesës së mbetur brenda këtij viti buxhetor, duke garantuar që çdo fermer të marrë mbështetjen e plotë që i takon.
Jemi të vetëdijshëm që ky sektor vijon të përballet me sfida nga më të ndryshmet. Megjithatë, është fakt që sot bujqësia shqiptare ka më shumë mbështetje dhe më shumë mundësi se disa vite më parë, dhe kjo është një arritje e përbashkët e punës suaj dhe e angazhimit të Qeverisë”, tha Salla.
Salla theksoi se 5.2 miliard lekë do të shkojnë vetëm për skemën kombëtare të mbështetjes së fermerëve. Sipas Sallës kjo shumë është 16% më e lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
“Për vitin që vjen kemi buxhetin më të lartë që kemi pasur ndonjëherë, rreth 16.3 miliard lekë për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin. 5.2 miliard lekë do të shkojnë vetëm për skemën kombëtare të mbështetjes si: pagesë direkte për fermerët dhe grantet e investimeve në ferma dhe agrobiznese Kjo shumë është 16% më e lartë se buxheti fillestar i vitit 2025. Mbështetja për sektorin jo vetëm që nuk ndalet, por po rritet në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.