Vendosni fjalën kyçe....

Goditet grupi kriminal i trafikut të drogës, 24 të arrestuar në Itali



Një operacion i zhvilluar nga autoritetet italiane ka çuar në arrestimin e 24 shtetasve, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Aktiviteti kriminal është monitoruar nga policia nga maji i vitit 2024 deri në prill të vitit 2025.

Të arrestuarit janë të moshave nga 23 deri në 61 vjeç dhe kanë kombësi italiane, shqiptare, gjeorgjiane dhe rumune.

Sipas mediave italiane, hetimet nisën pas identifikimit të një 36-vjeçari shqiptar, person me precedentë penalë, i cili dyshohet se ka qenë figura kyçe e trafikut të drogës në rajonin e Daunias.

Shtetasi shqiptar dyshohet se siguronte lëndë narkotike përmes grupeve të tjera kriminale italiane, me bazë në Italinë veriore, dhe më pas e rifuste drogën në treg duke bashkëpunuar me shtetas të tjerë.

Gjatë hetimeve, autoritetet sekuestruan 2 kilogramë kokainë, që dyshohet se kishte origjinë nga Bolivia. Analizat laboratorike të kryera nga karabinierët treguan se droga kishte një pastërti prej 96%, duke dëshmuar cilësinë e lartë të saj.

Për të shmangur kontrollet policore, të arrestuarit përdornin metoda të ndryshme, përfshirë edhe transferimin e të ardhurave drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autobusëve dhe kamionëve.

Gjithashtu, në janar të këtij viti, karabinierët sekuestruan edhe 40 mijë euro, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti kriminal.