Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se dogji 2 makina të parkuara, në pranga 19-vjeçari në Shkodër


Policia e Shkodrës ka arrestuar një 19-vjeçar, i cili dyshohet se ka djegur dy automjete të parkuara në lagjen “Iliria”, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 9 dhjetorit.

I arrestuari është identifikuar si Klavdo Macaj, 19 vjeç, banues në Shkodër. Ndërkohë, në gjendje të lirë do të hetohet edhe një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i veprimeve të thelluara për zbardhjen e djegies së qëllimshme të dy automjeteve në pronësi të shtetasve Z. K. dhe A. D., ndodhur mëngjesin e datës 09.12.2025, në lagjen “Iliria”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në provat e grumbulluara si rezultat i veprimeve hetimore intensive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Traces”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 19 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autor i djegies së dy automjeteve. Gjithashtu, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në djegien e automjeteve.

Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri mitraloz, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kanabis.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.