Vendosni fjalën kyçe....

BKH mohon përplasjen me Gardën pas deklaratës së Ramës për hetuesit në Kryeministri



Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit “Flasim”, ka rrëfyer një episod që sipas tij ka ndodhur në ambientet e Kryeministrisë, ku tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kishin refuzuar të dorëzonin armët e zjarrit, në kundërshtim me rregulloren e sigurisë.

Pas kësaj deklarate, BKH ka reaguar zyrtarisht, duke theksuar se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje me Gardën e Republikës.

Sipas reagimit të BKH-së, më 20 nëntor 2025, tre hetues janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, i cili parashikonte masën e pezullimit nga detyra ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në hyrjen e brendshme të institucionit, hetuesit janë informuar nga Garda se, sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarime mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve, ndërsa Garda i ka orientuar që ato të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë.

“Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale”, thuhet në reagimin e BKH-së, duke nënvizuar se nuk ka pasur asnjë përplasje mes palëve.

BKH kujton gjithashtu se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës së zjarrit mbështetet në ligjin nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, konkretisht në nenin 31, pika 3.

Ndërkohë, në deklaratën e tij, kryeministri Rama u shpreh kritik ndaj asaj që e quajti një qasje problematike brenda institucioneve të drejtësisë, duke përmendur edhe episodin me hetuesit e BKH-së:

“Nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së…”, tha Rama, duke bërë thirrje për reflektim serioz dhe ndërinstitucional në kuadër të Reformës në Drejtësi.