
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas paraqitjes në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, ka vijuar me akuza të forta ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, duke deklaruar se ky i fundit po e mbyll ciklin e tij në krye të SPAK “me faqe të zezë”.
Ai hodhi gjithashtu akuza për pasuri të fshehura, duke deklaruar se disponon prova dhe se pasuritë e drejtuesit të SPAK nuk justifikohen me të ardhurat nga paga shtetërore.
“Nuk është i fundit, bashkë me Irena Gjokën ka hyrë në galerinë e turpit të historisë së drejtësisë shqiptare. Irena ka të tjera plot dhe Altini ka të tjerë, po të mëdhenj, me vendimin e GJK duke ia hequr, duke ia marrë pushtetin sistemit të drejtësisë, për masën e sigurisë për Ballukun.
Tani Dumani e mbyll me faqe të zezë, me pasuri të fshehura. Kam prova të plota. Jam ish-president dhe ish-kryeministër dhe, në fakt, jap garanci se asnjë rrogtar i këtij shteti, përfshi edhe presidentin dhe kryeministrin de facto, nuk ka 4 apartamente me rrogën e shtetit. Ky deklaron se jam me qira te vjehrri.
A e kuptoni çfarë mashtruesi është. Po të thoshte se vjehrri ia ka bërë dhuratë vajzës një apartament, do ta pranoja. Por apartamenti është ndërtuar, ky është aksioner dhe thotë jam me qira te vjehrri. Ky i gjeti këta pronarë me 3 apartamente. Cili mund t’i ketë me rrogën e shtetit? Unë me rrogën e shtetit kam blerë vetëm 40 m² ndërtim, pa kredi”, tha Berisha.