
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të Sali Berishës lidhur me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke theksuar se procedura është zhvilluar plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin organik të institucionit.
Në reagimin e tij, Balla shprehet se procesi ka prodhuar një kandidat të mbështetur edhe nga vetë opozita.
“I lodhuri paska dalë e folur përsëri mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, proces i cili u zhvillua tërësisht sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit të vet organik, duke nxjerrë fitues një kandidat të mbështetur me më shumë se 28 firma nga Partia Demokratike”, deklaron ai.
Sipas Ballës, Partia Socialiste ka mbajtur qëndrimin për të mos propozuar asnjë kandidat të vetin, por për të mbështetur në seancën plenare një nga emrat e propozuar nga opozita.
Ai sqaron se nga gjashtë kandidatët e propozuar nga opozita, kandidati që siguroi shumicën e cilësuar prej tre të pestave të votave të Kuvendit ishte Endrit Shabani.
Në vijim, Balla akuzon Partinë Demokratike se e ka shndërruar procesin në një farsë.
“Nga ana e Partisë Demokratike u luajt hajgare, siç i thonë në Kosovë, me procesin dhe me vetë kandidaturat. Nga një anë firmosnin për një, nga ana tjetër firmosnin për një tjetër dhe nga një anë e tretë ia jepnin firmat edhe njërës apo edhe tre të tjerëve. Pastaj vinin e thonin: ‘aman mos votoni për atë se ajo është e çmendur’, ‘jo atë se është i pabesë’, ‘jo këtë se nuk e duam’. Ik njëri e hajde tjetri si kalamajtë e kopshtit, deri kur kaluan në kërcënime si fëmijët e nëntëvjeçares’, shkruan ai.
Balla thekson se socialistët nuk do të pranojnë presione apo lojëra politike.
“Për sa na takon pastaj bashkërisht, ua kemi bërë të qartë sa herë na është dhënë mundësia se me lojëra ‘macja me miun’ apo kërcënime e presione ndaj nesh ta harrojnë se mund t’i marrim seriozisht. Po të duan me rregulla loje e qytetari, hajde ulemi dhe të diskutojmë për çdo gjë. Përndryshe, ne nuk do t’i presim për asnjë moment”, nënvizon ai.
Në përfundim, Balla i uron deputetët e opozitës për festat e fundvitit, duke shtuar: “Gëzuar edhe deputetëve të opozitës Festat e fundvitit, me urimin që pas bakllavasë dhe gjelit të detit të kenë nxjerrë edhe mësimin e duhur nga votimi me firmat e tyre e me votat tona, e të ecim përpara bashkërisht. Po të duan, natyrisht.”