Vendosni fjalën kyçe....

Aktori dhe regjisori Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij gjenden të vdekur në shtëpinë e tyre në Los Anxhelos



Regjisori dhe aktori i njohur amerikan Rob Reiner dhe bashkëshortja e tij Michele Reiner janë gjetur të vdekur në banesën e tyre në Los Anxhelos, ndërsa autoritetet po hetojnë ngjarjen si një “homicid i mundshëm”, bëri të ditur policia.

Një zëdhënës i familjes Reiner konfirmoi vdekjet në një deklaratë për mediat. “Me një dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Michele dhe Rob Reiner. Jemi të shkatërruar nga kjo humbje e papritur dhe kërkojmë privatësi në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në deklaratë.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit, ekipet e emergjencës iu përgjigjën një thirrjeje për ndihmë mjekësore rreth orës 15:30 dhe gjetën një burrë 78-vjeçar dhe një grua 68-vjeçare pa shenja jete brenda banesës. Reiner kishte festuar ditëlindjen e 78-të në muajin mars.

Policia e Los Anxhelosit bëri të ditur se një anëtar i familjes kishte shkuar në banesë dhe kishte zbuluar trupat e pajetë. Në vendngjarje ndodheshin hetuesit e krimeve të rënda, të cilët po kryejnë veprimet hetimore.

Sipas një zyrtari të zbatimit të ligjit, që foli në kushte anonimiteti, hetuesit dyshojnë se viktimat kanë pësuar plagë nga thika, ndërsa një anëtar i familjes po merret në pyetje, përcjell Euronews.

Autoritetet e Los Angelesit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e personave të gjetur të vdekur në banesën luksoze në zonën Brentwood, një lagje e njohur në perëndim të qytetit ku jetojnë shumë figura publike. Zëvendësshefi i LAPD-së, Alan Hamilton, deklaroi në një konferencë për shtyp se identifikimi zyrtar do të bëhet nga koroneri i qarkut të Los Angelesit, ndërsa hetimet do të vijojnë.

Rob Reiner ishte një nga regjisorët më të suksesshëm të Hollivudit, i njohur për filma të paharrueshëm të viteve ’80 dhe ’90, përfshirë “This Is Spinal Tap”, “A Few Good Men”, “When Harry Met Sally” dhe “The Princess Bride”.