Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 2 të vrarë dhe 9 të plagosur nga të shtënat në Universitetin Brown në SHBA



Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në Universitetin Brown, në qytetin Providence të shtetit Rhode Island, në bregun lindor të SHBA-së, përcjell DW.

Presidentja e Universitetit Brown ka deklaruar se viktimat janë të gjithë studentë. Ngjarja ka ndodhur brenda një klase të inxhinierisë dhe fizikës, gjatë një sesioni përgatitor për provimet përfundimtare.

Sipas autoriteteve lokale, sulmi ka ndodhur në katin e parë të ndërtesës “Barus & Holley”, ndërsa autori i dyshuar është ende në arrati. Policia ka publikuar pamje nga kamerat e sigurisë, ku shihet një person i veshur me rroba të errëta, por fytyra e tij nuk është e identifikueshme. Dyshohet se ai mund të jetë rreth të 30-ave.

Kryetari i bashkisë së Providence, Brett Smiley, bëri të ditur se në total janë 11 të qëlluar, prej të cilëve dy kanë ndërruar jetë, ndërsa nëntë janë të plagosur. Njëri prej të plagosurve nuk ka marrë plagë nga arma e zjarrit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet kanë vendosur urdhër “qëndroni në vend” (shelter-in-place) për të gjithë kampusin dhe zonat përreth, ndërsa forca të shumta policie dhe agjentë të FBI-së ndodhen në terren dhe po vijojnë kërkimet për kapjen e autorit.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta politike. Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se “gjithçka që mund të bëjmë tani është të lutemi për viktimat”, ndërsa senatorë dhe zyrtarë të tjerë kërkuan masa më të forta kundër dhunës me armë zjarri në kampuset universitare.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit vijojnë.