
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar ashpër sulmin e armatosur në Bondi Beach, në Sidnei, ku 11 persona u vranë dhe gati 30 të tjerë u plagosën pasi persona të armatosur hapën zjarr gjatë një aktiviteti për festimin e Hanukës, përcjell The Times of Israel.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke shprehur solidaritetin me viktimat, komunitetin hebre dhe popullin australian.
“Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë. Lutjet tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm, me komunitetin hebre dhe me popullin e Australisë”, shkroi Rubio.
Reagimi i SHBA-së i bashkohet dënimeve të forta ndërkombëtare ndaj sulmit, i cili është cilësuar nga autoritetet australiane si një akt i qëllimshëm dhune dhe urrejtjeje, i drejtuar kundër komunitetit hebre.
Autoritetet australiane vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa masat e sigurisë janë shtuar në mbarë vendin, veçanërisht në zonat me prani të komunitetit hebre.