Vendosni fjalën kyçe....

Rama uron Klodian Brahon për detyrën e re si kreu i SPAK



Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, ka komentuar zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Braho, duke vlerësuar njëkohësisht punën e ish-kreut të këtij institucioni, Altin Dumani.

Rama u shpreh se drejtuesi i ri pason Altin Dumanin, i cili, sipas tij, e ngriti SPAK-un në një nivel tjetër dhe e shndërroi në një institucion që nuk sheh “majtas e djathtas, por vetëm drejt”.

“Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjetër, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhë të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parrullë e parealizueshme: një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt”, tha Rama.

Kryeministri i përcolli Altin Dumanit shprehje respekti dhe i uroi suksese në vijim, ndërsa për drejtuesin e ri, Klodian Braho, u shpreh se pret që ai ta çojë SPAK-un në një nivel më të lartë profesionalizmi, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ndërkohë që kryeprokurorit të ri Klodian Braho i uroj ta çojë SPAK-un, në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses,” u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu se kjo luftë nuk duhet të maskohet, sipas tij, me statistika apo me “lojëra mediatike”, duke përmendur edhe standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në këtë drejtim.

Në përfundim, Rama deklaroi se ka besim se eksperienca gjashtëvjeçare e SPAK-ut, arritjet e deritanishme dhe një qasje vetëkritike ndaj punës së bërë, mund ta çojnë institucionin aty ku duhet të jetë tre vite nga sot.