Vendosni fjalën kyçe....

E kaluara e errët, lidhja me CIA-n/ Kush është i akuzuari tjetër me ish-agjentin e DEA-s për pastrim parash për kartelin meksikan


Ish-zëvendësshefi i operacioneve financiare të DEA-s, Paul Campo (majtas) dhe ish-operativi i CIA-s i epokës Reagan, Robert M. Sensi (djathtas)

Paul Campo, 61 vjeç, nga Oakton, Virginia, i cili doli në pension nga DEA në 2016 pas një karriere 25-vjeçare, dhe Robert Sensi, 75 vjeç, nga Boca Raton, Florida, u kapën në një operacion të fshehtë që përfshinte një informator të DEA-s i cili u paraqit si anëtar i Kartelit të Gjeneratës së Re Jalisco (CJNG), thanë prokurorët.

Campo dhe Sensi u paraqitën javën e kaluar para një gjykatësi në Nju Jork, i cili urdhëroi ndalimin e tyre pa të drejtë lirie me kusht. Avokati i Campos, Mark Gombiner, e quajti aktakuzën “të bujshme dhe disi të paqartë”. Ai mohoi që të dy burrat kishin rënë dakord të shqyrtonin mundësinë e sigurimit të armëve për kartelin.

Sipas aktakuzës, Robert Sensi i tha “CS-1”, një burim konfidencial i DEA-s, i cili u paraqit si anëtar i CJNG-së, se mund të ndihmonte në sigurimin e dronëve tregtarë të aftë për të mbajtur gjashtë kilogramë eksploziv C-4, të cilat ishin të mjaftueshme për të “hedhur në erë të gjithë atë… nuk dua ta them.”

Dosja e identifikon Robert Sensi-n 75-vjeçar si pikën fillestare të kontaktit. Ai ishte që siç duket, vendosi kontakt në vitin 2024 me një burim konfidencial të fshehtë, i cili paraqitej si anëtar i CJNG-së.

Në aktakuzën federale, Robert Mario Sensi akuzohet për:

  • Ofertë të qasjes së CJNG te “një ish-udhëheqës i operacioneve financiare për DEA-n” (duke iu referuar Campos).
  • Premtim të “informacioneve të ndjeshme” rreth hetimeve dhe burimeve të agjencisë.
  • Pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në operacionet e pastrimit të parave duke përdorur kriptovaluta dhe transferta në kuleta të supozuara të kontrolluara nga DEA dhe IRS (Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme).
  • Diskutim rreth armëve, dronëve dhe eksplozivëve me burimin e fshehtë, dhe madje duke diskutuar kapacitetin e ngarkesës C-4 të dronëve tregtarë.

Avokatja e Sensit, Amanda Kramer, argumentoi pa sukses se Sensi duhet të lirohej ndërsa pret gjyqin, duke thënë se ai nuk do largohej sepse ka probleme të shumta shëndetësore, duke përfshirë lëndime nga një rrëzim dy muaj më parë, demencë në fazë të hershme dhe diabet të Tipit II.

Sensi u dënua më parë në vitet 1980 dhe 1990 me akuza të ndryshme për mashtrim postar, mashtrim të qeverisë dhe vjedhje të 2.5 milionë dollarëve nga ish-punëdhënësi i tij, Kuwait Airways. Prokurori Gumaste tha se provat tregojnë se Sensi ishte përfshirë gjithashtu në një skemë për të siguruar helikopterë të klasës ushtarake për një vend të paidentifikuar të Lindjes së Mesme.

Por kjo është vetëm sipërfaqja e asaj që të dhënat gjyqësore tregojnë në lidhje me Robert Mario Sensi që nga vitet 1970.

Ndërmjetës diplomatik

Të dhënat publike zbulojnë më tej se z. Sensi, i cili u shënua se ishte 75 vjeç dhe nga Boca Raton, Florida, është famëkeqi ish-operativ i CIA-s, Robert Mario Sensi, i cili lindi më 22 nëntor 1950 dhe paditi pa sukses Penguin Group për shpifje në janar 2008 për publikimin e librit të Larry J. Kolb “America at Night.” Ai pretendoi se libri e kishte “nxjerrë” në mënyrë të paligjshme si operativ të CIA-s.

Sipas librit të vitit 2008 nga Kolb, Sensi, duke punuar fillimisht në një agjenci udhëtimi dhe më pas për Air France në Çikago, kishte zhvilluar një reputacion midis diplomatëve dhe VIP-ave të tjerë arabë si njeriu që mund t’u kryente punët në Çikago. Një ndërmjetës i aftë për të zgjidhur probleme me INS, Doganën e SHBA-së, policinë lokale, apo njeriu për të gjetur bileta teatri dhe turne private pazaresh.

Në vitin 1977, Sensi u largua nga Gulf Air dhe mori një punë në zyrën e Kuwait Airways në Uashington, D.C. Atje, ai i raportonte drejtpërdrejt ambasadorit kuvajtian dhe filloi të kryente shërbime jo vetëm për udhëtarët VIP të linjës ajrore, por edhe për ambasadorin dhe anëtarët vizitorë të familjes mbretërore kuvajtiane. Sensi raportohet se shkëlqeu në sigurimin e vizave, qëndrimit, regjistrimeve prestigjioze universitare, trajtimit mjekësor dhe lejeve të tjera për kuvajtianët e shquar dhe miqtë e tyre.

Ai shkëlqeu gjithashtu në sigurimin e prostitutave, mbulimin e të dhënave të arrestimeve, ryshfetin e profesorëve për të përmirësuar notat dhe mjekëve për të ndryshuar të dhënat e diagnozave të turpshme. Atij shpejt iu dhanë përgjegjësi të zgjeruara dhe kontrolli i një fondi sekret shumë-miliona dollarësh të Kuwait Airways për të mbuluar shpenzimet e tij operative.

Në vitin 1977, Sensi, pasi e kishte takuar atë përmes fluturimeve të tij të shpeshta, organizoi intervistat e para të Kryetarit të OÇP (Organizata për Çlirimin e Palestinës), Yaser Arafat, në median amerikane.

Në atë kohë, ai fliste rrjedhshëm italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe po mësonte arabisht dhe persisht. Sensi u vu re për talentin e tij dhe u rekrutua nga CIA, sipas Kolb. Ai kishte “qasje të menjëhershëm te DCI Casey dhe ishte një vizitor i rregullt në Shtëpinë e Bardhë, ku rojet, siç raportohet, e lëshonin Sensi-n sapo e shihnin, pa kërkuar kredenciale.”

Surpriza e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së 1980

Sipas rrëfimeve të Kolb, gjatë një takimi në një bar kuvajtian në vitin 1986, Sensi pohoi se Komiteti Kombëtar Republikan (RNC) hapi atë që Sensi e quan “një kanal sekret me Iranin.” Sensi nuk po i referohej vetëm planeve sekrete që SHBA-ja t’i shiste armë Iranit, gjë që sapo po zhvillohej, por edhe “Surprizës së Tetorit” të zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në nëntor 1980. Sensi pretendoi gjithashtu se Drejtori i CIA-s, William Casey, kishte qenë i përfshirë në marrëveshjet sekrete të SHBA-së me Iranin që në fillim, ashtu si Robert Carter, zëvendësdrejtori i fushatës presidenciale të Ronald Reagan.

Roli i kaluar i Sensit çoi në trajtimin e tij si dëshmitar të besueshëm për negociatën e supozuar të “Surprizës së Tetorit” të administratës së Ronald Reagan për vonesën e lirimit të amerikanëve si pengje nga Teherani derisa fushata e tij presidenciale kundër Jimmy Carter në 1980 të përfundonte. Kur gazetari Craig Unger e pyeti Sensi-n nëse “Surpriza e Tetorit” ishte e vërtetë, ai thuhet se u përgjigj: “Njëqind milionë për qind,” përpara se të shtonte, “Absolutisht. Pa asnjë dyshim. Dhe mund ta printoni.”

Nisma e CIA-s për Iranin në 1983

Në vitin 1988, Robert Mario Sensi dëshmoi në gjykatë se ai dhe dy të mërguar iranianë iu afruan zyrtarëve të CIA-s në fillim të vitit 1983 në lidhje me një plan për të fituar ndikim me fraksionet e moderuara në Iran dhe se ata ndërmorën një operacion të tillë për CIA-n më vonë po atë vit.

Nisma e Iranit përfshinte krijimin e kompanive që do dukeshin si kompani tregtare ndërkombëtare, por do dizajnoheshin për të tërhequr të mërguar iranianë që do të ishin të dobishëm për interesat e inteligjencës amerikane.

Sensi dëshmoi se një e ashtuquajtur nismë e Iranit operoi për gati tre vjet dhe përfundimisht përfshiu disa republikanë me ndikim me lidhje me Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë Drejtorin e ndjerë të Inteligjencës Qendrore William J. Casey, një ndihmës i vjetër i Casey, Robert Carter, dhe ish-ambasadorin e SHBA-së në Vatikan, William Wilson.

Si pjesë e një marrëveshjeje në gjyqin aktual që Sensi nuk do diskutojë emrat ose emrat e koduar të zyrtarëve të CIA-s me të cilët është marrë apo të zbulojë hollësitë e sakta të takimeve ose të thërrasë zyrtarët e CIA-s si dëshmitarë, se Sensi kishte një marrëdhënie me CIA-n nga dhjetori 1983 deri në gusht 1986.

Qeveria pranoi gjithashtu se Sensi u takua me Casey në CIA më 9 qershor 1983, së bashku me Carter. Robert Carter dëshmoi se takimi kishte të bënte me planin e Sensit për të udhëtuar me një nga të mërguarit iranianë, Habib Moallem, në Teheran dhe për t’u takuar me Ajatollah Ruhollah Khomeini.

Në vitin 1986, Sensi u arrestua kur vizitoi ambasadën iraniane në Londër ku po merrte një vizë për të udhëtuar në Iran.

Dënimi për mashtrim ndaj Kuwait Airways

Robert Mario Sensi u dënua me gjashtë muaj burg për vjedhjen e 2.5 milionë dollarëve nga Kuwait Airways nga Gjykata Federale e Qarkut, Gjykatësi George H. Revercomb, më 1 korrik 1988, siç u raportua në atë kohë nga The Washington Post.

Sensi dëshmoi në gjyqin civil dhe përsëri në gjyqin e tij penal se hapja e llogarisë bankare, e njohur nga tre shifrat e fundit si “llogaria 640”, ishte autorizuar nga ish-ambasadori kuvajtian Khalid Jaffar dhe se përdorimi i llogarisë për operacione të lidhura me CIA-n ishte autorizuar nga Sheiku Jaber Athby al-Sabah, zëvendëskryetar i linjës ajrore i cili është gjithashtu shefi i aviacionit civil të vendit.

“Qeveria federale ka thënë se Sensi kishte një ‘marrëdhënie’ me CIA-n nga fundi i vitit 1983 deri në kohën e arrestimit të tij,” raportoi The Post, duke shtuar se “ndihmës Prokurori i SHBA-së Theodore A. Shmanda, i cili e ndoqi penalisht Sensi-n, tha se akuzat kundër Sensit nuk kishin lidhje me aktivitetet e tij në CIA.”

“Sensi u dënua në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990 për mashtrim postar, mashtrim të qeverisë dhe vjedhje të 2.5 milionë dollarëve,” tha prokurori aktual, Ndihmës Prokurori i SHBA-së Varun Gumaste. Prokurori thuhet se më tej pretendoi se Sensi “ishte i përfshirë në një skemë për të siguruar helikopterë të klasës ushtarake për një vend të Lindjes së Mesme,” raportoi AP News.

Nuk ka të dhëna zyrtare që konfirmojnë ndonjë pozicion formal për Sensi-n brenda CIA-s ose agjencive të tjera zyrtare qeveritare të SHBA-së. Megjithatë, ai kishte udhëtuar shpesh në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikën Perëndimore dhe Amerikën Latine në role të mbledhjes së fondeve si Kryetar i Klubit të Ambasadorëve, një divizion i Republikanëve Jashtë Shtetit i RNC-së.

Mashtrimet me para nigeriane

Në vitin 1994, Sensi u arrestua në Uashington D.C. për pjesën e tij në një mashtrim investimi nigerian. Viktima, duke besuar se po punonte me qeverinë nigeriane në disa projekte, kishte paguar mbi 816,000 dollarë për të pandehurit, pa marrë asnjë para në kthim. Agjentët Specialë të Divizionit të Hetimit Penal të IRS ndoqën rrjedhën e parave nga Luksemburgu në një llogari bankare në Oklahoma City, gjë që çoi në zbulimin e skemës së supozuar.

Një pjesë e parave u transferua më pas në llogari të ndryshme në Hong Kong, Londër dhe Uashington, D.C. Pjesë të tjera të parave u përdorën për të blerë, ndër të tjera, dy automjete Lincoln dhe një klub nate në Oklahoma City të quajtur “Dreams.”

Komploti i zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së 2004

Në Dhomën e Përbashkët Junior të Kirkland në Harvard, Kolb detajoi temën e librit të tij të dytë, “America at Night,” i cili dokumentonte përpjekjet për të fabrikuar një lidhje biznesi midis kandidatit presidencial të vitit 2004, John F. Kerry, me al-Kaedën.

Në librin e tij, Kolb pretendon se ‘operativët mashtrues të CIA-s,’ Robert M. Sensi dhe Richard M. Hirschfeld, ishin të lidhur të dy me ish-Presidentin George H.W. Bush. Sensi shërbeu në CIA kur Bush ishte zëvendëspresident, ndërsa Hirschfeld ishte afër familjes Bush, sipas Kolb.

“Thjesht nuk mund ta shihja si një rastësi që kjo…ishte organizuar nga një çift mashtruesish operativë të CIA-s që kishin lidhje me George Bush,” tha Kolb. Kolb, ishte një oficer i inteligjencës në pension, dhe skandali i supozuar e solli atë përsëri në botën e intrigës.

Kolb u shoqërua publikisht me hetimin kur emri i tij u publikua pasi ai ndihmoi në anulimin e bashkimit financiar që do kishte kompromentuar Kerry-n.

Kerry kritikoi lidhjen e bërë nga administrata e Bushit midis Saddam Hussein dhe al-Kaedës, duke deklaruar se Lufta e Irakut nuk ishte “lufta kundër al-Kaedës,” duke sugjeruar se administrata mashtroi publikun mbi arsyetimin për pushtimin, gjë që tërhoqi akuza se ai ishte i butë ndaj terrorizmit.

Biografia në America at Night

“Robert Mario Sensi. Lindur më 22 nëntor 1950, në Blue Island, Illinois. Prindërit, Stephen dhe Frances Sensi. Dy vëllezër, Ulisse dhe Edgar; asnjë motër. K-klasa e 7-të, Shkolla St. Joaquin, Çikago. Klasat 8-11, shkolla në Detroit, Nju Jork dhe Romë. Në Romë studioi operë dhe italisht, ndërsa jetonte me gjyshërit e tij. Në moshën 17-vjeçare, kishte hequr dorë nga një e ardhme si këngëtar opere dhe ishte kthyer në Illinois. 1968, u diplomua në Shkollën e Mesme New Trier, Northfield, Illinois. Ndoqi Universitetin Fordham në Çikago, duke marrë diplomën Bachelor në Shkenca Politike nga Loyola në 1970, vetëm dy vjet pas shkollës së mesme.

Puna e parë e Sensit pas kolegjit ishte si agjent për marrjen e pronave (repo man) për CIT Financial Corp. në Çikago. Brenda muajsh, kaloi në pozicione si guidë turistike dhe drejtor i shitjeve të stimuluara për Travel Headquarters, një agjenci udhëtimi në Çikago. 1973, u largua për të punuar në zyrën e shitjeve të Air France në Çikago. Brenda një viti ishte ndihmës menaxher i rrethit. 1976, u transferua në Gulf Air, duke hapur zyrën e Gulf në Çikago me titullin Menaxher i Shitjeve në Midwest.

Zhvilloi reputacion midis diplomatëve dhe VIP-ave të tjerë arabë si njeriu që mund t’u kryente punët në Çikago—një përmirësues (fixer), i aftë për të zgjidhur probleme me INS, doganën, policinë lokale, thjesht njeriu për të rregulluar bileta teatri dhe turne private pazaresh për bashkëshortet pa lajmërim, ose për të siguruar në mënyrë diskrete prostituta apo pothuajse çdo gjë tjetër për burrat e tyre pasi bashkëshortet të ishin jashtë qytetit.

1977, u largua nga Gulf Air dhe mori një punë në zyrën e Kuwait Airways në Uashington. Atje, i raportonte drejtpërdrejt ambasadorit Kuvajtian dhe filloi të kryente shërbime jo vetëm për udhëtarët VIP të linjës ajrore, por edhe për ambasadorin dhe anëtarët vizitorë të familjes mbretërore Kuvajtiane. Shkëlqeu në sigurimin e vizave, qëndrimit, regjistrimeve prestigjioze universitare, trajtimit mjekësor dhe lejeve të tjera për kuvajtianët e shquar dhe miqtë e tyre. Gjithashtu shkëlqeu në sigurimin e prostitutave, mbulimin e të dhënave të arrestimeve, ryshfetin e profesorëve për të përmirësuar notat dhe mjekëve për të ndryshuar të dhënat e diagnozave të turpshme. Dëshmoi aq i aftë në shërbime të jashtëzakonshme saqë shpejt iu dhanë përgjegjësi të zgjeruara dhe kontrolli i një fondi sekret shumë-miliona dollarësh të Kuwait Airways për të mbuluar shpenzimet e tij operative.

Gjithashtu në vitin 1977, Sensi takoi dhe u miqësua me atëherë udhëtarin e shpeshtë relativisht të panjohur Yaser Arafat, Kryetar i PLO-së. Organizoi intervistat e para të Arafatit në median amerikane. Në atë kohë fliste rrjedhshëm italisht, frëngjisht, spanjisht, anglisht, duke mësuar arabisht dhe persisht. Me këto talente të veçanta dhe akses të nivelit të lartë te arabët e shquar, Sensi u vu re për talentin e tij dhe u rekrutua nga CIA. Ai ka akses të menjëhershëm te DCI Casey dhe është një vizitor i rregullt në Shtëpinë e Bardhë. Rojet atje thuhet se e lëshojnë Sensi-n sapo e shohin, pa kërkuar kredenciale. Ai udhëton shpesh në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikën Perëndimore, Amerikën Latine në rolin e mbledhjes së fondeve si Kryetar i Klubit të Ambasadorëve, dhe një divizion i Republikanëve Jashtë Shtetit i RNC-së.”

Padia për shpifje

Padia e z. Sensi kundër Penguin për publikimin e “America at Night,” në të cilin ai ishte një subjekt kryesor, pretendoi se Kolb, djali i ish-zyrtarit të lartë të CIA-s, kishte kryer një krim duke botuar një biografi të shkurtër të Sensit që zbulonte punën e tij të kaluar nën mbulesë në CIA.

“Publikimi i informacionit biografik të Robert Sensit që Kolb pretendon se Miles Copeland [bashkëthemelues i CIA-s] i dha atij është një akt kriminal,” pretendoi padia e Sensit, duke shtuar se “Kolb pretendon se e di me siguri që Sensi është ose ka qenë një agjent i CIA-s, dhe me vetëdije publikoi biografi e Sensit në faqet 25 dhe 26 të [‘America at Night’].”

Pretendimi i Sensit se Kolb kreu një krim duke publikuar sfondin e tij në CIA ka të ngjarë të jetë një referencë për Aktin e Mbrojtjes së Identiteteve të Inteligjencës të vitit 1982, i cili u miratua në përgjigje të ish-oficerit të CIA-s Philip Agee që emëroi një mori shefash stacioni në mbarë botën përmes revistës Covert Action Information Bulletin.

Skema Ponzi e World Capital Market

Në vitin 2015, Sensi u gjet përgjegjës për 325,000 dollarë si rezultat i transfertave mashtruese nga Gjykatësi John F. Walter për rolin e tij në atë që Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit i SHBA-së (SEC) e përshkroi si një “Skemë Piramidale me Bazë në Hong Kong që Synon Komunitetet Aziatike dhe Latine.”

E udhëhequr nga “Phil” Ming Xu, me qendër në Temple City, Kaliforni, skema piramidale World Capital Market kishte përfshirë Sensi-n “për të ndihmuar në trajtimin e ankesave rreth skemës Ponzi të Entiteteve Marrëse nga autoritetet në Peru, Tajvan dhe Dubai,” sipas një padie në Distriktin Qendror të Kalifornisë.

“Sensi më tej pretendon se ai ka punuar për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës dhe prandaj kishte kontakte në këto vende,” vazhdonte padia, e cila kishte emëruar djalin e Robert Sensit, Stefano Robert Sensi-Davenport, si bashkë të pandehur.

Falimentimi në 2023

Stefano (Steven) Sensi, djalë i Robertit, është renditur si Avokat në Divizionin e Amerikës së Jugut në Global Financing Consultants (GFC), kompania në pronësi të Paul Campos pas largimit të tij nga DEA në 2016. Në biografi e tij në faqen e internetit të GFC-së, Steven Sensi ka “udhëzime me përvojë në partneritete të zgjeruara, marrëveshje aksionerësh ose ndryshime në strukturën e korporatës. Ai flet rrjedhshëm anglisht dhe spanjisht. Partnerët e tij janë avokatë penalë dhe civilë me përvojë.”

Të dhënat publike tregojnë më tej se një Robert Mario Sensi nga Boca Raton, Florida, paraqiti kërkesë për falimentim në shtet në vitin 2023, ndërsa të dhënat publike të Floridës për firmën këshilluese të Stefanos, Spacetao LLC, rendisin emrin e tij të plotë dhe të babait të tij dhe ndajnë një adresë të regjistruar me atë të Global Asset Tracking Corp, të Sensi Sr., e cila është e lidhur me profilin publik të babait në LinkedIn.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Borderland Beat

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani