Vendosni fjalën kyçe....

Blushi: Meta i izoluar në burg, i është mohuar e drejta për të komunikuar me mediat



Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku shprehet se Ilir Meta ndodhet i izoluar në burg dhe se i është privuar e drejta për të komunikuar me mediat.

Në reagimin e tij, Blushi bën një krahasim me rastin e opozitarit rus Alexei Navalny, duke theksuar se, sipas tij, edhe Navalny, i burgosur në Arktik, ka pasur mundësi të shprehej lirshëm për mediat.

Sipas Blushit, situata e Ilir Metës përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe bie ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën dhe ligjin.

Reagimi i plotë i Tedi Blushit:

“Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore të trajtimit dhe kritikonte hapur regjimin autoritar.

Në Shqipëri ndodh e kundërta. Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta për të komunikuar me mediat. Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët.

Kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi.

Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës.

Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion, por detyrim ligjor i panegociueshëm për Shqipërinë.

Beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit.

Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet të jetë viktimë e një sistemi të komanduar politikisht.

Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë.”

Reagimi i Blushit vjen në një kohë kur Partia e Lirisë ka intensifikuar akuzat ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke i cilësuar veprimet ndaj Ilir Metës si të motivuara politikisht.