
Tajlanda ka mohuar se ekziston një armëpushim me Kamboxhian, pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se të dy vendet kishin rënë dakord të ndalonin luftimet.
Mohimi erdhi ndërsa përplasjet e ashpra përgjatë kufirit mes dy vendeve vazhduan edhe të shtunën, me përdorim avionësh luftarakë, raketash dhe rritje të numrit të viktimave.
Kryeministri i përkohshëm i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, deklaroi se vendi i tij nuk ka pranuar asnjë armëpushim dhe se forcat tajlandeze do të vijojnë operacionet ushtarake, përcjell The Guardian.
Në të njëjtën kohë, Kamboxhia njoftoi pezullimin e të gjitha kalimeve kufitare me Tajlandën.
Gjatë luftimeve të së shtunës, forcat tajlandeze kryen sulme ajrore, përfshirë përdorimin e avionëve luftarakë, ndërsa Kamboxhia lëshoi breshëri raketash në zonat kufitare.
Ushtria tajlandeze bëri të ditur se të paktën dy civilë janë plagosur rëndë nga zjarri kamboxhian, ndërsa përpiqeshin të strehoheshin në bunkerë.
Përplasjet e fundit u nxitën nga një incident më 7 dhjetor, ku u plagosën dy ushtarë tajlandezë, duke shkelur një armëpushim të mëparshëm të promovuar nga Trump në korrik. Sipas raportimeve, gjatë javës së fundit janë vrarë më shumë se dy duzina persona dhe mbi gjysmë milioni banorë janë zhvendosur në të dy anët e kufirit.
Ushtria tajlandeze njoftoi se 15 ushtarë të saj kanë humbur jetën dhe vlerësoi se rreth 165 ushtarakë kamboxhianë janë vrarë. Nga ana tjetër, Kamboxhia nuk raportoi humbje ushtarake, por bëri të ditur se të paktën 11 civilë janë vrarë dhe mbi 60 të tjerë janë plagosur.
Deklarata e Trump për armëpushim, e bërë të premten pas bisedave telefonike me Anutin dhe kryeministrin kamboxhian Hun Manet, u prit me skepticizëm nga autoritetet e të dy vendeve.
Ministri i Jashtëm i Tajlandës, Sihasak Phuangketkeow, tha se komentet e Trump “nuk pasqyrojnë një kuptim të saktë të situatës”, duke shtuar se Tajlanda ndihej e zhgënjyer nga mënyra se si ishte paraqitur çështja.
Trump kishte shkruar në rrjetin e tij Truth Social se “të dy palët kanë rënë dakord të NDALIN çdo të shtënë që këtë mbrëmje dhe të kthehen te marrëveshja origjinale e paqes”, por as Tajlanda dhe as Kamboxhia nuk e përmendën një marrëveshje të tillë në deklaratat zyrtare pas telefonatës.
Në një reagim të tij, Anutin theksoi se paqja do të ishte e mundur vetëm nëse Kamboxhia ndal sulmet.
“Tajlanda do të vazhdojë veprimet ushtarake derisa të mos ndjejmë më rrezik dhe kërcënim për territorin dhe popullin tonë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, kryeministri kamboxhian Hun Manet tha se vendi i tij mbetet i angazhuar për një zgjidhje paqësore, duke iu referuar një marrëveshjeje të nënshkruar në tetor në Kuala Lumpur, por pa përmendur armëpushimin e shpallur nga Trump.
Ai shtoi se u ka kërkuar SHBA-së dhe Malajzisë të verifikojnë “se cila palë hapi zjarr e para” në përplasjet e fundit.
Konflikti mes Tajlandës dhe Kamboxhias ka rrënjë të thella historike, të lidhura me mosmarrëveshje territoriale që datojnë që nga periudha koloniale dhe një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 1962, i cili i dha Kamboxhias sovranitet mbi një zonë të kontestuar. Tensionet kanë shpërthyer herë pas here në dhunë, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për armëpushim deri tani nuk kanë arritur të ndalin përfundimisht luftimet.