
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar gjatë mbledhjes së Kryesisë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, duke e cilësuar atë si një akt të paprecedentë në historinë politike të vendit.
Berisha deklaroi se, për herë të parë në 32 vite, sipas tij, kreu i qeverisë ka vepruar kundër ndëshkimit të korrupsionit. Sipas Berishës, arsyetimi i shumicës në Gjykatën Kushtetuese përkon me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar vendimin si “pezullim të pezullimit”.
“Për herë të parë në 32 vite, kreu i qeverisë, kalon kundër ndëshkimit të korrupsionit, në rastin ku ai ka ndarë paratë. Akti i tillë është ndër më të pashembullt, nuk them se është krejt i pashembullt në botë, se ka autokratë.
Por në një vend ku aspiron integrimin në BE, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë kurrë. Nëse lexoni arsyetimin e shumicës dje, është identik dhe mishëron deklaratat e kryeavokatit Edi Rama.
Ata vendosin pezullimin e pezullimit. Ata morën të mirëqenë pretendimin e Ramës se qeveria paralelizohet nga pezullimi i Lubisë.
Nuk ka absurditet më absolut se sa ky. Qeveria nuk pezullohet as me një zv.kryeministër dhe as me 3-5 ministra. Këshilli i Ministrave vendos me shumicë.”, tha ai.