
Një zjarr i madh ka përfshirë rreth orës 01:00 pas mesnate një supermarket në zonën e Kryebushatit, në Bashkinë Vau-Dejës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Për shkak të intensitetit të zjarrit, në vendngjarje kanë ndërhyrë disa mjete zjarrfikëse nga Shkodra, Vau-Dejës dhe Lezha, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e flakëve në objektet përreth.
Si pasojë e zjarrit, supermarketi është shkrumbuar pothuajse plotësisht, ndërsa dëmet materiale raportohen të jenë të mëdha. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, pasi në momentin e rënies së zjarrit objekti ka qenë i mbyllur.
Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.