Vendosni fjalën kyçe....

ZTE e Kinës mund t’i paguajë SHBA-së mbi 1 miliard dollarë për akuza ryshfeti


Kompania kineze e pajisjeve të telekomunikacionit, ZTE Corp, mund të përballet me një pagesë që i kalon 1 miliard dollarët ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të zgjidhur akuza të kahershme për ryshfet të dhënë jashtë vendit, sipas dy personave të njohur nga afër me zhvillimet.

ZTE, e cila gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump ka paguar rreth 2 miliardë dollarë në gjoba për shkelje të rregullave të eksportit, po hetohet prej vitesh nga autoritete në disa shtete për praktika të dyshuara korruptive gjatë sigurimit të kontratave në sektorin global të telekomunikacionit.

Sipas burimeve, gjatë këtij viti Departamenti i Drejtësisë (DoJ) ka avancuar hetimin rreth shkeljeve të mundshme të Aktit të Praktikave të Korruptuara të Huaja (FCPA) – legjislacioni amerikan që ndalon dhënien e ryshfeteve për zyrtarë të huaj me synim përftimin e avantazheve në biznes. Hetimet përfshijnë aktivitete të ZTE-së në Amerikën e Jugut dhe në rajone të tjera.

Burime të informuara thanë për Reuters se zyrtarët amerikanë po punojnë për një marrëveshje që mund të kërkojë pagesën e mbi 1 miliard dollarëve. Sipas njërit prej tyre, shuma mund të arrijë edhe në mbi 2 miliardë dollarë, pjesërisht e bazuar në përfitimet e supozuara nga kontratat e përfituara në mënyrë korruptive.

Lajmi shkaktoi rënie të menjëhershme të aksioneve të ZTE-së: të listuarat në Hong Kong ranë me më shumë se 12%, ndërsa ato në Shenzhen arritën limitin ditor prej 10%.

Në një njoftim për bursën e Hong Kongut, ZTE konfirmoi se është në “komunikim të vazhdueshëm” me Departamentin e Drejtësisë lidhur me hetimet. Kompania deklaroi se po forcon sistemin e pajtueshmërisë dhe po ndjek një qasje të ashpër kundër çdo forme korrupsioni, me politikë zero-tolerance ndaj personave të përfshirë në aktivitete të paligjshme. ZTE nuk dha komente shtesë përpara publikimit të lajmit. Edhe Departamenti i Drejtësisë refuzoi të komentojë.

Sipas burimeve, nuk dihet ende se kur mund të arrihet një marrëveshje. Çdo marrëveshje me SHBA-në do të kërkonte miratim nga qeveria kineze. Zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashington, Liu Pengyu, tha se nuk dispononte informacione për rastin, por theksoi se Kina kërkon nga kompanitë e saj të respektojnë ligjet vendase dhe ato të vendeve ku operojnë.

Hetimet FCPA: rrënjë që shtrihen vite pas ngjarjeve

Hetimet për shkelje të FCPA zakonisht rezultojnë vite pas keqbërjes. Në rastin e ZTE-së, hetimet amerikane tregojnë se akti më i fundit i dyshuar për ryshfet daton në vitin 2018. Një nga burimet e përshkroi rastin e mundshëm si një “komplot kriminal” të strukturuar për pagesë ryshfeti.

Sipas burimeve, ZTE ka përfituar disa kontrata në Amerikën e Jugut që dyshohet të kenë përfshirë pagesa të paligjshme, me Venezuelën të përmendur konkretisht si një shembull.

Procesin e zgjidhjes e komplikon më tej një marrëveshje e vitit 2017 me Departamentin e Tregtisë të SHBA-së. Në atë vit, ZTE pranoi fajësinë për eksport të paligjshëm të pajisjeve amerikane drejt Iranit dhe pagoi një gjobë prej 892 milionë dollarësh. Në 2018-n, Departamenti i Tregtisë akuzoi kompaninë për dhënie deklaratash të rreme mbi masat disiplinore ndaj punonjësve të përfshirë në shkeljet, dhe vendosi ndalimin total të eksporteve amerikane drejt ZTE-së. Kjo shkaktoi ndërprerje kritike të furnizimit me çipa dhe softuer, duke detyruar kompaninë të pezullojë operacionet kryesore.

Presidenti Trump ndërhyri publikisht në atë kohë, ndërsa po negocionte një marrëveshje tregtare me Pekinin, duke mbështetur idenë e lehtësimit të masave. Pas pagesës së një miliard dollarëve të tjerë nga ZTE si pjesë e marrëveshjes së re, ndalimi u hoq.

Departamenti i Tregtisë po shqyrton tani nëse ZTE ka shkelur marrëveshjen 10-vjeçare të vitit 2018, duke analizuar të njëjtat fakte që heton edhe Departamenti i Drejtësisë. Departamenti nuk komentoi mbi hetimet në zhvillim.

Sipas analistëve, çdo gjobë e madhe do të godiste rëndë financat e ZTE-së, e cila regjistroi 1.16 miliardë dollarë fitim vitin e kaluar. Në mungesë të një marrëveshjeje, SHBA-ja mund të rivendosë ndalimin e furnizimit me produkte amerikane – diçka që do të godiste rëndë linjat kryesore të prodhimit të ZTE-së, të cilat bazohen në komponentë nga Qualcomm, Intel, AMD dhe furnitorë të tjerë amerikanë.

Një histori e gjatë e ryshfetit në sektorin global të telekomunikacionit

Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur me dekada rastet e ryshfetit në industrinë e telekomunikacionit, duke vendosur gjoba të mëdha ndaj kompanive nga Suedia, Rusia, Venezuela dhe vende të tjera.

Në vitin 2015, Fondi Global i Pensioneve i Norvegjisë deklaroi se ZTE ishte e lidhur me pretendime korrupsioni në të paktën 18 vende, nga Algjeria te Filipinet dhe Zambia, me hetime që zgjatnin nga viti 1998 deri në 2014. Sipas Këshillit të Etikës të fondit, rastet përfshinin pagesa ryshfeti që shkonin nga disa milionë deri në dhjetëra milionë dollarë.

Këshilli rekomandoi përjashtimin e ZTE-së nga fondi, duke theksuar se të gjitha rastet lidhen me ryshfete për sigurimin e kontratave shtetërore, shkruan Reuters.